Pasdite e sotme në orën 16:30, pritet të mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës, e në të njëjtën kohë “Rithemelimi” ka paralajmëruar të zhvillojë protestën e pestë përpara bashkisë, ku kërkon dorëheqjen e Erion Veliajt.
Nënkryetari opozitar i Këshillit Bashkiak, Dorian Teliti, dorëzoi dje në bashki kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës, duke futur tri pika të kërkuara edhe më herët.
Duke pretenduar se ka abuzime me buxhetin, ata kërkojnë kryebashkiakun Veliaj të raportojë para Këshillit Bashkiak.
Po ashtu, ngritjen e një komisioni të përhershëm financiar për të ardhurat, shpenzimet dhe procedurat e tenderimit, si dhe auditim të huaj se ku shkojnë paratë e taksapaguesve të kryeqytetit.
“Kërkesat tona janë të qarta dhe të thjeshta. Ky rend dite nuk përmban 3 kërkesat themelore për zbardhjen e ‘5D’.
Veliaj të dalë nesër para këshilltarëve e të japë llogari se ku kanë shkuar paratë e ‘5D’, pse kanë dështuar instrumentet.
Si ka mundësi që kanë marrë titullin e investitorit strategjik?!
Veliaj në kuadër të këtij skandali duhet të japë llogari para këshillit.
Detyra e tij është të dalë para Parlamentit të Tiranës”, nënvizoi këshilltari i djathtë në deklaratën e tij teksa përsëriti kërkesën për ngritjen e një komisioni financiar, që t’i shkojë deri në fund zbardhjes së aferës korruptive në Bashkinë e Tiranës.
“Paratë e Tiranës merren me anë të taksave dhe nuk na kthehen për një cilësi të mirë jetese, por vidhen nga drejtorët.
Ngritja e komisionit të përhershëm financiar duhej të ishte bërë që në qershor të 2023, që mazhoranca refuzon ta ngrejë sepse pikërisht detyra e këtij komisioni është monitorimi i çdo të ardhure, çdo shpenzimi dhe çdo procedure tenderimi.
Është e drejtë e këtij komisioni të kërkojnë adutimin të huaj, për të zbardhur të vërtetën ku shkojnë paratë.
Kemi disa akte që kanë të bëjnë me ndihmën ekonomike me qiranë që ne do i votojmë, por mungojmë tri çështjet për abuzimin që i është bërë buxhetit të Tiranës nga një grup drejtorësh.
Dita e llogarisë ka ardhur dhe Erion Veliaj nëse është burrë të dalë para Këshillit të Tiranës të japë llogari”. tha Teliti.
Afro një javë më parë, “Rithemelimi” kërkoi një mbledhje jashtë radhe të këshillit bashkiak, iniciuar nga skandali “5D” në Bashkinë e Tiranës, kërkesë e cila u refuzua.
Në deklaratën për mediat, Teliti, i cili dorëzoi kërkesën e cilësoi këtë veprim si mungesë transparence nga drejtuesi i bashkisë.
“Në këtë mbledhje të zgjeruar të kryesisë, ku pas kërkesës sime në cilësinë e nënkryetarit të këshillit, kërkova të ftoheshin në këtë mbledhje edhe drejtuesit e grupimeve të këshilltarëve, kërkesë e cila për hir së vërtetës gjeti mbështetje nga mazhoranca socialiste, nga ai moment e në vijim, ndonëse aspak të surprizuar, u përballëm me një seri të gjatë e të përsëritur të ‘Jo, jo dhe vetëm jo’ për çdo kërkesë të depozituar nga këshilltarët opozitarë gjatë javëve të fundit.
Ata i thanë jo kërkesës për mbledhje jashtë radhe/të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak për të thirrur kryebashkiakun dhe trajtuar, debatuar e nxjerre provat mbi aferën ‘5D’. E qartë që ata kanë frikë të përballen me të vërtetat e hidhura.
Ata i thanë jo ngritjes së një komisioni të përkohshëm me karakter ‘quasi hetimor’ për të investiguar së cilat hallka kanë çeduar e lejuar abuzimin me fondet e buxhetit të bashkisë. E qartë që ata nuk duan transparencën”. tha Teliti.