Ka vijuar gjyqi në mungesë ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, aktualisht në arrati, lidhur me dosjen e njohur si “Buka”, ku ai akuzohet për shpërdorim detyre.
Në seancën e radhës janë shënuar përplasje mes mbrojtjes së Ahmetajt dhe prokurorit të SPAK, ndërsa në sallë kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të familjes Myderizi, të dëmtuar nga vepra penale.
Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, paraqiti një sërë kërkesash për prova në lidhje me çështjen e “Buka” sh.a., duke deklaruar se është i autorizuar nga klienti i tij të bëjë të ditur se Ahmetaj nuk e pranon akuzën, deklarohet i pafajshëm dhe e cilëson procesin politik.
Mbrojtja kërkoi që Arben Ahmetaj të pyetet përmes videokonference, të administrohen prova shkresore, të pyeten ekspertët e akt-ekspertimit teknik dhe kontabël, si dhe të thirren si dëshmitarë ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe ish-zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie. Po ashtu, u kërkua administrimi i të gjitha akteve juridike që lidhen me “Buka” sh.a.
Gjykata i kërkoi prokurorit të SPAK të shpjegojë cilat janë veprimet dhe mosveprimet konkrete të Arben Ahmetajt që përbëjnë veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Në përgjigje, prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, theksoi se në dosje janë depozituar vendime gjykatash të formës së prerë, të cilat i kanë dhënë të drejtë familjes Myderizi. Ai sqaroi se Ahmetaj, përmes një urdhri, ka caktuar vetë dy ekspertë, ndërsa akt-ekspertimi përmban kundërthënie.
Sipas prokurorit, ish-ministrat Nasip Naço dhe Florian Mima nuk e kanë privatizuar pronën në fjalë, ndërsa Ahmetaj ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka fuqi ligjore.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i familjes Myderizi, Adrian Myderizi, akuzoi mbrojtjen për tentativë për të ngatërruar çështjen, duke theksuar se bëhet fjalë për shkelje të pastër të detyrës.
“Ne fituam gjyqin me Ministrinë e Ekonomisë me vendim të formës së prerë. Kundërshtuam mënyrën se si u llogaritën aksionet e pronarëve: 1 metër katror tokë na u llogarit me 8 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që vlera e tregut është rreth 1 mijë euro. Na dhanë vetëm 80 milionë lekë të vjetra. Janë bërë manovra për t’i hapur rrugë vjedhjes. Ahmetaj bëri atë që nuk e bëri asnjë ministër tjetër”, deklaroi Myderizi.
Në përfundim, gjykata vendosi të shtyjë seancën për datën 27 janar, për t’i dhënë kohë prokurorit të SPAK të shprehet mbi provat dhe dëshmitarët e kërkuar nga mbrojtja e Arben Ahmetajt.





