Prokuroria belge i është drejtuar me një letërporosi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku kërkon marrjen në pyetje të kryedemokratit Lulzim Basha, si person që ka dijeni për ngjarjen e sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrës.
Kjo kërkesë vjen në Shqipëri, pasi në Belgjikë prej disa muajsh kanë nisur hetime për 12 persona për akuzën e pastrimit të parave. Personat e proceduar në Belgjikë janë Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Dritan Hakaj.
Belgët janë vënë në dijeni në rrugë informale, se i pari që ka dhënë informacion për këtë çështje në sallën e parlamentit shqiptar, ka qenë deputeti dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha. Nisur nga kjo situatë, prokurorët belgë, kanë kërkuar nëpërmjet një letërporosie që prokuroria dhe policia shqiptare të marrin në pyetje Lulzim Bashën.
Gjyqtari belg Laurence Heusghem i ka kërkuar dy Prokurorëve të çështjes që t’i bëjnë tre pyetje kreut të PD-së: Si u informua Basha për sasinë prej 3,4 milionë Eurosh? Cilat ishin informacionet ekzakte? Si dhe kush ia dha zotit Basha këtë informacion?





