Dosja ndaj mjekëve të Onkologjikut i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme. Siç raporton gazetari Besar Bajraktaraj, do të jenë prokurorët e SPAK të cilët do të vlerësojnë hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës dhe do kryejnë hetime të tjera lidhur me akuzat ndaj bluzave të bardha.

Kujtojmë se më 26 Qershor, Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën e mashtrimit dhe zhvatjes së pacientëve të sëmurë me tumor në spitalin e Onkologjikut.

Mjeku Edmond Gashi dyshohet se në bashkëpunim me kolegët e tij orientonin pacientët e diagnostikuar me kancer në një klinikë private, e cila rezulton në emër të babait të tij. Për çdo pacient që orientohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash.

Përpos kësaj, nga hetimet e prokurorisë rezultoi se në Spitalin Onkologjik u instalua një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Cobalt Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike.

Theksojmë se KLSH ka bërë një kallëzim për rastin në SPAK.

“Jemi të detyruar që të punojmë për të koordinuar o vetëm një autim, por për shkak të konstatimit të problematikave në disa auditimeve jemi detyruar që t’i ndërthurim dhe nëpërmjet një pune juridike dhe t’i drejtojmë këto konkluzione në institucionin që është institucioni kompetent për të ndjekur në mënyrën më të plotë të mundshme të gjithë tablo të skeletit të ligjit penal, pra prokuroria speciale”, u shpreh dy javë më parë kreu i KLSH.