Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu pritet të paraqitet sot në SPAK në lidhje me çështjen e Gërdecit.  

Ish-ministrit në kohën e qeverisë Berisha priet t’i komunikohen akuzat për “Gërdecin”, ngjarja kjo, e cila u mori jetën personave, përfshirë gra, burra dhe fëmijë.

Këta persona ishin viktimë e punës jashtë çdo kushti teknik e ligjor në demontim municionesh, të cilët eksportoheshin si skrap dhe municione luftarake, me marka të falsifikuara në Afganistan, Irak, Libi, Tunizi, Egjipt.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008. Çështja ndaj Fatmir  Mediut u mbyll një vit më vonë, më 14 shtator 2009, kur ai u rizgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Avokatët mbrojtës të ish-ministrit të Mbrojtjes kërkuan mbylljen e çështjes duke argumentuar se prokuroria duhet t’i kërkonte sërish autorizim Kuvendit për heqjen e imunitetit. Por, kjo çështje është rihapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.