Dosja ndaj Lulzim Bashës në Gjykatën e Apelit i është caktuar Fatmira Hajdarit.
Shorti ka përzgjedhur sot Hajdarin si kryesuese e trupit gjykues, ndërsa anëtarë do të jenë, Alaudin Malaj dhe Shpresa Becaj.
Kujtojmë se Fatmira Hajdari, është bashkëshortja e ish-deputetit të ndjerë të PD, Azem Hajdari, si edhe nëna e Rudina Hajdarit, deputetja e cila zgjodhi të dalë kundër urdhrit të kryedemokratit për djegien e mandatave dhe pranoi të kryesojë opozitën e re në parlament.
Ende nuk ka një datë, se kur do të nisë procesi në Gjykatën e Apelit ndaj kreut të PD, Lulzim Basha, por gjasat janë, që në të tilla kushte Hajdari të japë dorëheqjen nga kjo çështje.
Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e gjyqtarit Lazër Sallaku që i dha pafajësi Bashës dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani si dhe shefit të financës së këtij subjekti Ilir Dervishi.
Gjykata e Tiranës rrëzoi akuzat ndaj Bashës, Ristanit dhe Dervishit për falsifikim formularësh në çështjen e lobimit pasi nuk ekzistojnë prova.





