Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për ish-ministrin Ilir Beqaj.

Gjyqtari i seancës së caktimit të masës së sigurimit personal ndaj Beqajt, Erjon Bani shpalli vendimin e shkurtuar kur sqaroi se Beqaj kishte përfituar nga e drejta për të mos dhënë deklarime në seancën e marrjes në pyetje.

Ai u shpreh se në këto kushte, gjykata ka vendosur të vijojë masat e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj Beqajt, pasi bazuar në nenin 244 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë nga ajo e kërkuar nga prokurori.

“Vazhdimin e masës së sigurimit ‘Ndalimi i daljes jashtë shtetit’ dhe ‘Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore’, caktuar ndaj personit nën hetim Ilir Beqaj, me vendimin Nr. 119, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, – thuhet në njoftim.

Pas përfundimit të seancës, ish-ministri Ilir Beqaj deklaroi për mediet se kishte vendosur të mos e ankimonte vendimmarrjen e gjykatës për masat shtrënguese të vendosura ndaj tij, duke vërejtur se ishte në dispozicion të hetimit. Ai u shpreh në mbrojtje të procedurës së koncesionit për të cilën është nën hetim, duke pretenduar se kishte sjellë modernizim të kushteve për ndërhyrjet kirurgjikale.

“Siç e kam bërë publike, unë jam në dispozicion të këtij procesi hetimor, ndaj kam vendosur të mos e kundërshtoj atë vendim. Ajo që kemi bërë për shëndetësinë ka qenë një gjë e mirë. Për çështjen në fjalë bëhen 8 vite. Në këto 8 vite, 400 kirurgë operojnë në kushte bashkëkohore, shqiptarët operohen në kushte sterile dhe në çdo operacion i kursehen qëndrimet në spital”, – deklaroi ish-ministri.

AKUZA

Ilir Beqaj është zyrtari më i lartë në akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e Partneritetit Publik-Privat të sterilizimit, pas arrestimit në gusht të këtij viti të zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Hetimet 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij.

Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë ‘dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit’. Hetimet e SPAK për këtë çështje deri në prill të vitit 2022 nuk kishin avancuar përtej fazës paraprake, duke sjellë dhe parashkrimin e veprës penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, që për rrjedhojë solli shmangien nga përgjegjësia penale të personave përgjegjës.

Në kërkesën për caktim të masës së sigurimit personal që SPAK dërgoi në gjykatë ndaj të hetuarve për këtë çështje, emri i Beqajt mungoi, por gjyqtari Erjon Bani vlerësoi se shkeljet e akteve ligjore ngriheshin në nivelin e përgjegjësisë penale për ish-ministrin. Bani vlerësoi gjithashtu se hetimet ishin të paplota dhe e orientoi Prokurorinë drejt hetimit të çështjes edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Pas vendimit të gjykatës, SPAK deklaroi se hetimet për Beqjen ishin në proces. Gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë gjatë kohës kur gjykata ishte tërhequr për vendim, dy prokurorët e çështjes, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi i thanë BIRN se prej muajit gusht ishin kryer shumë veprime hetimore prej nga ishte bërë e mundur që Beqaj të regjistrohej si person nën hetim për “shpërdorim detyre”, por pa dhënë detaje lidhur me këto veprime.

Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tri kontrata koncesionare prej dhjetëra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor. Prej vitit 2021, Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, post nga u dorëhoq të shtunën. Në tetor të këtij viti, ai u bë gjithashtu pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

DOSJA

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme bëri me dije se ish-ministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro.

Kështu, sipas hetimeve të zhvilluara deri në këtë fazë, ish-ministri akuzohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike. Krahas masës së sigurisë, ndaj ish-ministrit është caktuar dhe masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Sipas SPAK, ishministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duhet të anulonte kontratën koncesionare të sterilizimit, pasi kompania fituese dha një ofertë më të lartë se sa vlera e përcaktuar nga autoriteti kontraktor. Ai nuk mori asnjë masë për vënien në punë të qendrës së sterilizimit, çka do të ishte më e favorshme ekonomikisht, por kaloi direkt të procedura e dhënies me koncesion të shërbimit për sterilizimin e pajisjeve mjekësore.

Nuk parandaloi konfliktin e interesit mes biznesmenit Ilir Rrapaj dhe ish- zv.ministrit Klodian Rjepaj, si dhe kreu veprime që favorizuan kompaninë fituese. Në dosjen penale ndër të tjera arsyetohet se Ilir Beqaj, ndonëse ishte në dijeni të qendrës moderne të sterilizimit, të ngritur në QSUT, nuk mori asnjë masë për vënien e saj në funksion. Ai nuk bëri asnjë studim paraprak për të vlerësuar nëse vënia në funksion e qendrës së sterilizimit do të ishte më e favorshme ekonomikisht.

Gjyqtari Erjon Bani në vendimin për caktimin e masës së sigurisë për Beqajn sqaron se ministri do të duhet të kishte konstatuar fryrjen e kostove, ndërsa janë kryer shkelje të procedurës e dhënies së koncesionit, për shkak se procedura e ndjekur për rastin në fjalë nuk parashikohej nga ligji. Në vendim analizohen edhe udhëtimet që Ilir Beqaj ka bërë me biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili zotëron 40 për qind të kontratës koncesionare dhe që aktualisht ndodhet në burg për të njëjtën çështje. Ai ka deklaruar se nuk e ankimon vendimin, ndërsa ka ngritur pikëpyetje për hetimin e SPAK dhe nga ana tjetër ka mbrojtur koncesionin e sterilizimit. /Panorama