Prokuroria e Krimeve të Rënda ka gati fletë-arrestet për disa persona, të përfolur dhe përfshirë në rastin e kërcënimit të dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja.
Emrat e këtyre personave, veç fazës hetimore, mësohet se kanë dalë edhe në sallën e gjyqit, gjatë ballafaqimit dhe pyetjes së biznesmenit Ylvi Beqja nga Emiljano Shullazi dhe avokatët e tij. Sipas prokurorisë, në mesin e personave që pritet të arrestohen, janë edhe individë me të kaluar kriminale, të cilët e kanë kërcënuar dëshmitarin e mbrojtur gjatë kohës që ishte në program.
Nuk jepen detaje për emrat dhe numrin e personave që pritet të arrestohen, por burimet thonë, se disa prej tyre janë bërë publikë gjatë pyetjes së dëshmitarit të mbrojtur Beqja në sallën e gjyqit. Veç këtyre personave, emrat e të cilëve janë përmendur në sallën e gjyqit, burimet nga prokuroria, thonë se priten edhe arrestime të personave të tjerë, të cilët mendohen se janë pjesë e grupit kriminal që drejtohet nga Emiljano Shullazi edhe nga ambientet e paraburgimit.
Nga ana tjetër, me kërkesë të prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja është marrë në pyetje në sallën e gjyqit nga prokurorët, avokatët dhe vetë Emiljano Shullazi. Me këtë të fundit nuk kanë munguar edhe debatet apo fyerjet që të pandehurit i kanë drejtuar dëshmitarit në një moment, kur gjykata dhe prokurorët u larguan nga salla e gjyqit.
Biznesmeni Ylvi Beqja, mes të tjerash, gjatë dëshmisë së dhënë para gjykatës është shprehur se edhe në kohën që ishte në mbrojtje nga policia është takuar me Elvis Martinin, i cili veç ofertës prej 7 mln eurove që të tërhiqet nga dëshmia ndaj Shullazit e ka kërcënuar atë me familje.
Veprim që sipas Beqjas, e kanë kryer edhe persona të tjerë të cilët i kanë dërguar mesazhe apo thirrje telefonike, për të cilat prokuroria po vazhdon hetimet veçmas nga dosja ku po gjykohen të pandehurit. Ndërkohë Ylvi Beqja do të vazhdoi ditën e martë t’i përgjigjet në sallën e gjyqit, pyetjeve të Emiljano Shullazit, të pandehurve të tjerë dhe avokatëve mbrojtës./Abcnews.al





