Në dosjen “Sky ECC” dhe “Encrochat” që çoi në dhjetëra arrestime në Greqi, të dyshuar si anëtarë të një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës midis Greqisë, Shqipërisë dhe Spanjës, janë të paktën edhe 47 përdorues të platformave të kriptuara ende të paidentifikuar.
Dy prej tyre, përdorues vetëm të “Sky ECC” konsiderohen furnizues të rëndësishëm me lëndë narkotike të dy prej grupeve kriminale, konkretisht atij të drejtuar nga Aleksandër Pando dhe tjetrit të drejtuar nga Denis Grabocka dhe Andon Salati.
Një tjetër përdorues i paidentifikuar i platformës “Encrochat”, rezulton si ndërmjetës i transferimit të shumave të mëdha të parave të organizatës kriminale përmes sistemit “Hawala” përmes një dyqani në rrugën “Axarnon nr.101” në Athinë.
Për të gjithë këta personazhe të paidentifikuar, autoritetet greke po punojnë për të lidhur kodet e tyre me emrin konkret me qëllim vendosjen e tyre para përgjegjësisë penale.