Gazetarja Klodiana Lala, ka folur për disa nga dosjet që aktualisht janë në hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të cilat sipas saj pritet të kenë zhvillime të rëndësishme në vijim dhe të tronditin skenën politike në vend.
Duke folur në News 24, Lala, u shpreh se nëj nga dosjet më të nxehta është ajo e AKSHI-t, të cilën e cilësoi si “hapje e kutisë së Pandorës”.
Sipas Lalës, kjo dosje ka potencialin të shkërmoqë përfundimisht qeverinë, për shkak të mënyrës se si është funksionuar sistemi.
Ajo përmendi edhe dosjen “McGonigal”, e cila sipas saj cenon drejtpërdrejt partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe hedh dritë mbi mënyrën se si funksionon administrata shtetërore në prapaskenë.
Një tjetër çështje e rëndësishme, sipas Lalës, është dosja që lidhet me ministren Belinda Balluku, e cila përfshin jo vetëm tendera dhe paracaktimin e tyre, por edhe elementë të tjerë të dyshuar abuzimi.
Ajo bëri me dije se SPAK ka ushtruar kontrolle ndaj disa biznesmenëve në kërkim të provave të reja, të cilat mund të çojnë në implikimin e personave të tjerë të rëndësishëm.





