Dua Lipa ka rikthyer në vëmendjen e opinionit publik skandalin e dosjeve Epstein, të zbehur disi që prej shpërthimit të luftës në Iran.
Ylli i muzikës pop shprehu shqetësim për mënyrën se si mediat po e trajtojnë skandalin e financierit pedofil, duke theksuar se në shumicën e rasteve, vëmendja po largohet nga viktimat. Gjatë një episodi të fundit të podkastit të saj, Dua kritikoi gjuhën e përdorur në raportime, duke thënë se kjo “u ka bërë një shërbim të keq” viktimave, shumica e të cilave ishin të mitura.
Këngëtarja e famshme u ndal veçanërisht tek përqendrimi i madh tek elementet e sensacionit, si pershkrimi i festave intime apo përfshirja e personazheve të njohur, dhe theksoi se kjo errëson faktin që bëhet fjalë për abuzim të pastër dhe trafikim të fëmijëve. Sipas saj, kjo mënyrë raportimi zvogëlon seriozitetin e krimeve.
Komentet e Dua Lipës vijnë në një kohë kur diskutimi publik për dosjet e Epstein ka qenë kryesisht i fokusuar te emrat e famshëm të përfshirë dhe bashkëpunëtorja e tij, Ghislaine Maxwell. Artistja ka ngritur më parë zërin edhe për krizën humanitare në Gaza dhe ka mbështetur kauza të ndryshme ndërkombëtare.
Me këtë reagim, ajo bën thirrje për një qasje më të ndjeshme dhe të përgjegjshme në raportimin e rasteve të tilla, duke vendosur në qendër të vëmendjes viktimat dhe drejtësinë.





