Durrës, 22 gusht 2014 – Skuadra e Kukësit bën goditjen e radhës në merkato, arrin marrëveshjen me mesfushorin durrsak Albi Dosti. Ajo që përflitej prej disa ditësh në mediat sportive në vend u bë realitet këtë të premte, me hedhjen e të zezës mbi të bardhë. Ish-futbollisti i Teutës dhe i përfaqësueses Shpresa ka nënshkruar kontratë një-vjecare me të drejtën e rinovimit edhe një sezon tjetër. Me këtë lëvizje drejtuesit e nënkampionëve të Shqipërisë i bëjnë një dhuratë të cmuar trajnerit Artim Shaqiri, i cili nuk mund të ketë asnjë justifikim për objektivin.
Tashmë mesfusha e verilindorëve, pas Hair Zeqirit kompletohet me një tjetër element cilësor, sidomos në fazën sulmuese, pasi 22-vjecari e njeh mirë portën. Gjithsesi Albi Dosti nuk do të grumbullohet me skuadrën për ndeshjen debutuese të kampionatit ndaj Vllaznisë në Loro Borici, takim që do të zhvillohet të dielën në orën 17:00.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





