Pa dyshim Niko Dovana mbetet nga figurat qendrore të futbollit shqiptar, në kampionatet e viteve 30-të. Autoriteti i tij vjen i padiskutueshëm edhe në ditët e sotme, duke qenë ndër të parët portierë të famshëm të Teutës, që në breza do të pasohej edhe nga emra të tjerë të tillë. Dhe Durrësi që me Niko Dovanën, evidentohet si qytet portjerësh, pjesë më e madhe e të cilëve janë personazhe aktive të historisë së futbollit durrsak. Por çfarë ndodhi në fushën e Shallvares në ndeshjen e 28 qershorit 1931 Tirana – Teuta? Pjesa e parë 0-0. Në pjesën e dytë Teuta pëson gol dhe këtu ndodh çudia, që ngjalli jehonë të jashtëzakonshme në Shqipëri, në shtypin e kohës dhe u bë pjesë e debateve të pafund. Niko Dovana kthen në portë qendërsulmuesin e ekipit të tij dhe shkon në sulm. Dhe mrekullia, e ngjyer me habi dhe çudi njëkohësisht ndodhi. Pasi gjuan fuqishëm në drejtim të portës, shënon golin e barazimit. Tirana proteston në federatën e futbollit, se nuk lejohej që një portier të sulmonte, por kjo u duk absurde dhe u trajtua si një gjë shumë normale. Në librin e komentatorit dhe gazetarit të njohur sportiv Ismet Bellova “Portierë të Mëdhenj” shkruhet kështu për Niko Dovanën:
…Për Nikon më kanë thënë se vinte nga Italia enkas për ndeshje dhe ikte përsëri, për t’u rikthyer në ndeshjet pasardhëse. Kështu që nuk e di se ku dhe si stërvitej. Veç ama në ndeshje ishte nga pikat më të forta, e më të sigurta të skuadrës durrsake. Pjesëmarrja e tij nëpër ndeshje pritej me entuziazëm dhe sidomos kur fitonte skuadra e Teutës, në fushë dëgjoheshin brohoritje:
Nik’ Dovana me fustana
Fitoi Durr’si, humbi Tirana!…
Ndërsa kur fitonte Tirana, ndodhte ndryshe. Atëherë tifozët e saj të zjarrtë, të gëzuar e të kënaqur brohorisnin:
Nik’ Dovana me fustana
Humbi Durr’si, fitoi Tirana!…