Është nënshkruar paraditen e sotme Memorandumi i Bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës.
Drejtoresha Ledina Beqiraj dhe kreu i Dhomës Alban Isteri nënshkruan memorandum bashkëpunimi që ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe regjistrimin e objekteve të PI-së.
“Forcimi i bizneseve dhe ndërgjegjësimi i tyre lidhur me objektet e pronësisë industriale janë fokus për dy institucionet dhe lidhen drejtpërdrejtë me aktivitetin e tyre.
Ky bashkëpunim, vjen në prag të 100 vjetorit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, së cilës do ti shtohet edhe një shërbim më shumë për sipërmarrësit e këtij qyteti”,– shkruhet në postimin e DPPI-së.
Ndërkohë, pranë ambjenteve të Dhomës, DPPI do të vendosë në dispozicion në një sportel të dedikuar, broshura, fletëpalosje dhe çdo informacion tjeter të nevojshëm për çdo biznes, i cili dëshiron të mbrojë brand-in e tij.
Drejtoresha Beqiraj shprehu gadishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm dhe asistencë të vazhdueshme për çdo qytetar i cili aplikon pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
“Ky bashkëpunim është një hap shumë i rëndësishëm, dhe vjen si dëshirë shumë e madhe e dy drejtuesve të institucioneve për të qenë sa më afër biznesit”,– tha Beqiraj gjatë takimit.





