Tatimpaguesit, janë të detyruar të bashkëpunojnë me Administratën Tatimore, në rast kontrolli të ushtruar prej tyre, në çdo mjedis ku ata ushtrojnë aktivitet dhe veprimtarinë e tyre ekonomike. Bashkëpunimi nga ana e tatimpaguesve, konsiston në vënien në dispozicion të Administratës Tatimore të librave, regjistrimet, informacionin dhe dokumentet e nevojshme për të kryer llogaritjen e saktë të detyrimeve të tij tatimore.

Por, para kërkimit dhe vënies në dispozicion të informacionit nga ana e tatimpaguesit, personi i autorizuar nga administratë duhet që të paraqesë autorizimin me shkrim për të hyrë (urdhrin ditor të punës) ose lajmërimin për kontroll, i cili duhet të jetë nënshkruar nga drejtori i drejtorisë rajonale. Personi i autorizuar i administratës, përveç informacionit të sipërpërmendur mund të inspektojë dhe kontrollojë operimet e kompjuterëve, arkave regjistruese e pajisjeve të tjera elektronike në mjediset e personit, si dhe mund të marrë kopjet e çdo llogarie, regjistrimi apo informacion tjetër në këto pajisje.

Administrata Tatimore ka të drejtë të kërkojë nga tatimpaguesi dhe informacione shtesë, i cili mund të jepet në forma të ndryshme, si nëpërmjet pyetësorëve me shkrim që dërgohen nga ana e administratës te tatimpaguesi për të dhënë dokumente dhe libra e regjistra, për të plotësuar të dhëna të ndryshme për aktivitetin ekonomik, transaksionet tregtare, operacione financiare të kryera nga personi i tatueshëm me persona të tjerë të tretë, etj. Përveç tatimpaguesit, po ashtu edhe përfaqësuesi i tij, ka detyrimin për të dhënë informacione shtesë kundrejt administratës tatimore, me të cilin, kjo e fundit ka të drejtë të kërkojë që të takohet në orarin zyrtar të punës.

Në këto raste, personi i tatueshëm, është i detyruar të japë shpjegimet ose informacionet e kërkuara shtesë, me gojë ose me shkrim, brenda 20 ditëve nga data e postimit të kërkesës me shkrim të administratës tatimore ose nga data e nisjes së kësaj kërkese në postën elektronike të personit.