Shpallja e pjesës shqiptare të liqenit të Ohrit si pasuri e UNESCO-s do të mundësojë vijimin e kërkimeve dhe gërmimeve arkeologjike në pjesën nënujore, sipas standardeve të këtij organizmi ndërkombëtar.
Arkeologu nënujor Adrian Anastasi tha se restaurimi dhe muzealizimi i objekteve dhe banesave palafite, tashmë të zbuluara nën ujë, do të kenë të njëjtat standarte.
Arkeologu durrsak, që drejton prej vitesh kërkimet në liqenet e Ohrit dhe Prespës, tha se zbulimet e deritanishme në liqenin e Ohrit kanë nxjerrë në dritë tre vendbanime të mëdha prehistorike, me moshë deri 6-mijëvjeçare. Dy prej tyre i përkasin periudhës neolitike dhe një tjetër periudhës së bronzit.
“Lajmin e mirë e mora gjatë një takimi pune me prof. dr. Albert Hafner, drejtor i Institutit të Arkeologjisë në Universitetin e Bernës dhe anëtar i Komitetit Nderkombëtar të Trashëgimisë Kulturore Nënujore i ICOMOS. Prof. Hafner me kolegët e tij arritën të përfshijnë në mbrojtje nga UNESCO të gjitha sitet e palafiteve në liqenet alpine të Zvicrës, rreth 56 të tillë.
“Të njejtën gjendje kam patur edhe unë ditën e vendimit pozitiv nga UNESCO për vendin tim”, më tha prof. Hafner-shtoi dr. Adrian Anastasi.
Dr. Adrian Anastasi shton se turistët në të ardhmen do të vizitojnë site të cilat i përkasin trashëgimisë kulturore botërore, pjesë e UNESCO-s. Shqipëria do të jetë realisht kontribuese në botë, me kulturën e saj të zbulimeve arkeologjike nënujore.
Dokumentacioni i zbulimeve në liqenin e Pogradecit ka shërbyer për plotësimin e dosjes që përgatiti Ministria e Kulturës, Instituti i Arkeologjisë dhe organizma të tjerë institucionalë.
Sipas dr. Anastasit, vënia nën kujdesin e UNESCO-s do t'i shërbejë edhe tërheqjes së fondeve për kërkime shkencore dhe për laboratore.
Gëzim Kabashi