DURRËS, 15 qershor 2013 – Mjekët dhe infermierët e spitalit të Durrësit kanë përshëndetur dje botimin e një libri të ri për historikun e shëndetësisë.
Dr. Ali, Sula, i njohur edhe për dy librat e tij me kujtime për qytetin bregdetar promovoi të premten vëllimin “Historiku i shëndetësisë dhe spitalit të Durrësit gjatë shekullit të XX”.
Mjeku 90-vjeçar, i njohur për vitalitetin dhe integritetin profesional ka punuar disa vite për grumbullimin e të dhënave dhe fotove të qendrave shëndetësore, ambulancave dhe spitaleve në të gjithë rrethin e Durrësit, i cili deri në fillim të viteve 1990 përfshinte edhe Kavajën.
Në fjalën përshëndetëse zëvendësdrejtoresha e spitalit rajonal Alma Tedeschini dhe mjeku veteran Spiro Muzha përshëndetën botimin e librit, si ngjarje e shënuar për historikun e Durrësit në përgjithësi.
Presidenti i Urdhrit të Mjekut Dine Abazaj i dorëzoi më pas dr. Ali Sulës Certifikatën e Mirënjohjes, për punën e përkushtuar e të palodhur, për veprimtarinë si patriot dhe si drejtues në shëndetësi.
Historiku i hartuar nga dr. Ali Sula është vlerë e shtuar në botimet e këtij lloji në shkallë vendi, u shprehën të pranishmit, mes të cilëve edhe historianë, arkeologë, shkrimtarë dhe botues të qytetit.
Në recensionin e tij për librin e ri, dr. Nikolla Jorgoni, bashkë me vlerësimet për librin, shprehu konsideratat e tij të larta për kontributin e madh të dr. Ali Sulës edhe në mbështetjen e dhjetëra mjekëve të rinj.
Info/
Ali Sula u lind në Durrës në vitin 1923. Pas shkollimit fillestar në Durrës ai studioi në Universitetin e Firences për mjekësi, nga ku u rikthye për shkak të luftës në vitin 1943.
Më 1945 nis punën për ndërtimin e strukturave shëndetësore të qytetit të lindjes, ndërsa dy vjet më vonë shkon në Zagreb (Kroaci) dhe Timoshoara (Rumani) për vazhdimin e studimeve.
Në vitin 1950 diplomohet mjek.
Për disa vite punon në Vlorë dhe Gramsh e më pas në Kavajë. Bashkë me kolegë të tjerë të nderuar në Durrës, dr. Ali Sula bëhet promotor i ndryshimeve të mëdha në sistemin shëndetësor të Durrësit dhe rrethinave të tij, duke fituar respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve.
Vazhdon të kontribuojë në fushën e shëndetësisë edhe pas vitit 1983, kur doli në pension.
/g. k. / th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
Në legjislaturën 1992-1996 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Është një nga nismëtarët e krijimit të shoqatës “Durrësi” dhe të rivitalizimit të Kryqit të Kuq shqiptar, ku për disa vite ishte zëvendëspresident.
Kujtimet e tij për Durrësin e fëmijërisë dr. Ali Sula i ka botuar 18 vjet më parë në shqip, si dhe në italisht me titullin “Reminiscenze durazzine”. Libri i dr. Ali Sulës “Historiku i shëndetësisë dhe spitalit të Durrësit gjatë shekullit të XX”, që ka dalë këto ditë në qarkullim është një botim i rëndësishëm për historinë e re të Durrësit 3000-vjeçar.





