Kryefjala e shumë bisedave në ditët e sotme është stresi. Të gjithëve na ka ndodhur të ndjejmë se diçka nuk shkon ashtu si duhet dhe këto lloj ndjesish ia kemi atribuuar sërish stresit. Por, çfarë është realisht kjo gjendje dhe çfarë mund të bëjmë ne për parandalimin e saj. Në një intervistë mjeku dhe profesori amerikan, i cili ka marrë edhe tre titujt “Doctors Honorisa Causa”, George Chrousos jep disa këshilla praktike për të kuptuar më mirë dhe për të marrë masat e nevojshme për këtë sëmundje që sa vjen dhe rritet. 
 

Doktor, në jetën e përditshme flasim shpesh për stresin, por çfarë është realisht stresi? 

Stresi në vetvete është pështjellimi që ne përjetojmë dhe që i druhemi për balancën tonë. 
 

Cilat janë disa nga shenjat që një person mund të kuptojë se është vërtet i stresuar? 

Shenja e parë është që ne nuk ndjehemi mirë, pra jo euforikë. Më pas mund të jenë shenjat e ankthit, lodhjes, pagjumësi ose fjetje e tepërt, shtimi në peshë apo humbja e peshës. 
 

Cilët janë disa nga faktorët që ndikojnë në shfaqjen e stresit? 

Në përgjithësi çdo gjë që mund të shkaktojë prishjen e balancës trupore të homeostazës si dhe shumë faktorë socialë. Shumica e faktorëve stresues në ditët e sotme janë socialë dhe ekonomikë. Pra të gjithë këta faktorë në tërësi. 
 

Çfarë mund të thuhet për simptomat e pashpjeguara mjekësore të stresit? 

Shumica e këtyre simptomave më përpara janë quajtur si jo specifike, por faktikisht ato janë specifike. Ato tregojnë se diçka nuk shkon. 
 

Si për shembull? 

Për shembull lodhja, përgjumja, dhimbja adominale, kapsllëku apo diarreja. 
 

A mund të parandalohet stresi? 

Po, ka dy mënyra. Njëra është të shmangësh faktorët stresues dhe tjetra të mësosh të përshtatesh me të. 
 

Në momentin që ne përshtatemi me stresin, çfarë mund të bëjmë për ta hequr atë? 

Në popullsitë patologjike që shkojnë tek doktori, ne përdorim atë të ashtuquajturën terapi konjuktive (të njohjes). Pra ne ju mësojmë pacientëve pse ka atë që ai ka, pse ata ndjehen në atë mënyrë dhe ta ndryshojnë mënyrën e jetesës në mënyrë të tillë që ta bëjnë përshtatjen sa më të lehtë. Ka disa gjëra të lehta që mund të bëhen si për shembull: Bërja e një gjumi të rehatshëm gjatë natës, ushqyerja e shëndetshme, të ushtruarit apo dalja me miqtë. 
 

A mund të kurohet stresi me barna? 

Kur stresi shkakton depresion apo ankth dhe probleme mendore, ne japim medikamente. Por, vetëm medikamentet nuk funksionojnë. Në të njëjtën kohë pacientët duhet të bëjnë edhe terapinë konjuktive të sjelljes. Pra duhet të kryejnë të dyja këto terapi. Vetëm nëse gjendja është shumë e avancuar mund të ndërhyhet me medikamente. 
 

Cilat janë të dhënat për të prekurit nga stresi në botë dhe a keni ju të dhëna për Shqipërinë? 

Ne kemi të dhëna. Unë nuk kam parë shumë për Shqipërinë, por në Bashkimin Evropian njerëzit duhet të shikojnë tek cilësia e jetës dhe kënaqësitë e saj. Numri një është Danimarka. 
 

Ka ardhur në rritje apo në rënie numri i të prekurve? 

Për fat të keq janë më të shumtë për shkak të krizës në vende si Greqia, Italia, Spanja, Portugalia ku ka shumë varfëri. Pra, faktorë që ndikojnë shumë tek stresi.