Nga Myzejen Konduri

E kush s’e njeh Dr. Kapllan Mançen?! Ai është etalon i profesionalizmit, humanizmit e qytetarisë durrsake.

Raporti i tij profesional dhe human është i mrekullueshëm. Kurdoherë i pasionuar pas profesionit, pranë dhimbjes dhe hallit të pacientit.

Jeta e tij rrjedh mes punës & familjes & miqësisë. Me virtytet e tij si profesionist, Dr Kapllani, merr veç bekime & urime, duke rezonuar tek disa që në emër të ekomomisë së tregut, kanë zbehur vlerat humane e duhet të turpërohen kur të përballen me veten e ndërgjegjen e tyre.

Dr.Kapllan Mançe, u diplomua në Universitetin Mjekësor të Tiranës, dega Stomatologji. Në vitin 1976, filloi punën. Ishte ende i ri, kur ngulmonte për të zbuluar të fshehtat e profesionit. I zgjuar, simpatik, i aftë profesionalisht, në vitin 1979 u specializua 2 vjet në Itali për Maxillo Faciale. Pas këtij specializimi, ka bërë rreth 1000 – kirurgji në vit duke fituar besimin e respektin e pacientëve.

Profesionalizmi, etika, politesa, bëri që  të shkëlqente. Për këtë, nga viti 1884 – 1991, ka qenë Drejtor i Shërbimeve Stomatologjike të Rrethit të Durrësit.

Me futjen e metodave bashkëkohore, ai ka qenë:

1.Kirurgu i Parë në vendin tonë, që aplikoi vendosjen e pllakave të titanit për mjekimin e frakturave të nofullave dhe skeletit facilist.

2. Bëri ndërhyrjet në Gjëndrrat e Pështymës (Salivare).

3.Vendosi impiantin për herë të parë në Shqipëri në vitin 1991.

4.Trajtimet Kirurgjikale të Tumoreve Maxillo Faciale.

5.Bashkautor në Traktatin e Kirurgjisë Maxillo Faciale.

6.Autor dhe bashkëautor me Ramazan Ismailin për Librin për Studentët e Stomatologjisë.

Tek bisedon, ai tregon pa dëlir, thjeshtësisht. Në këtë rrugëtim të karrierës së tij, ankthi më i madh që ka përjetuar më shumë, ka qenë me pacientët e vegjël….jo vetëm për anën profesionale por për ndjeshmërinë e tij që nga narkoza, deri te ndërhyria.

Ai kujton me respekt e mirënjohje kirurgët që e mësuan dhe ndihmuan në perfeksionimin e tij si:

  • 1.Dr. Enver Kotorri
  • 2.Prof. Dhori Pojani – Shef i Kirurgjisë pranë USHT si Kirurg i ORL.
  • 3.Dr. Meleqe Velaj
  • 4.Dr. Miri Hoti
  • 5.Dr. Pirro Qerimi
  • 6.Dr. Haki Bllaca
  • 7.Prof.Rushen Golemi

Ai nuk kursen vlerësimin dhe për më të rinjtë siç është Flamur Haki Bllaca, një kirurg Maxillo Faciale, që po ecën në gjurmët e ngritjes së vazhdueshme profesionale e humane.

Është fat për të gjithë pacientët që u ka qëndisur aq mrekullisht dhëmbët me përgjëgjësi e zemër të madhe Dr. Kapllan Mançe.

Ai ka një harmoni perfekte me ekipin e tij si në poltron, si në sallën e kirurgjisë. Tek e sheh të përkulur mbi pacientin, jo vetmitar, po me personelin rrotull, të gatshëm, nuk të habit.

Kyçi i dorës së tij rrotullon si balerinë frezën. Mbërthyer te puna e tij, sinfonia e frezës, përhap një frymëzim jete tek secili që është i pranishëm aty.

Dr. Kapllani është bekim për dhimbjen e tyre. Ai u fal ngrohtësi pacientëve, që jo rrallë janë të lodhur nga dhimbja.

Buzëqeshja e tij është arma e zemrës që përcjell mirësinë tek ata.

Pikëllohet, kur ndonjë pacient ka shpërfillur kujdesin për dhëmbin, që ka vdekur në gojë mes dhimbjesh dhe Dr. s’e shpëton dot.

Herë vështrimdhëmbshur, herë qortues e herë me pjekuri e maturi, u jep këshilla pacientëve.

Si vetë Dr. Kapllani, ashtu janë dhe vlerësimet për të, me fjalë të arta.

Në qytetin tonë të lashtë të Durrësit që të magjeps, klinika e tij e madhe e pajisur me të gjitha pajisjet e kohës, ndodhet në anë të rrugës për në Currila përballë një pamjeje mahnitëse. Çdo repart xixëllon nga pastërtia dhe është stolisur me foto, diplloma e certifikata.

Ai i ka qëndruar besnik vetes e parimeve të tij në punë e në jetë.

Dr. është shumë i çmuar dhe për miqtë e tij, që lavdërimet nuk i kursejnë për të.

Familja e Bukur e Dr. Kapllanit, është një tjetër arritje e madhe. Në krah ka pasur të dashurën e zemrës, nënën e fëmijve, kolegen, profesionisten, Dr. Linda, që ka punuar në sektorin e mjekimit të fëmijve që nga viti 1982.

Eltoni, djali i madh, po ecën në gjurmët e të atit, pas specializimit 1-vjeçar në Universitetin Shtetëror të Milanos për Mjekësi të Përgjithshme. Pas specializimit për Kardiolog, që nga viti 2023, punon në Spitalin Universitar” Nënë Tereza”.

Mesazhi që përcjellin bashkëshortia e 2 djemtë e tij të mrekullueshëm është: “Pranë një burri, babai, profesionisti, miku të rrallë, të mbështjell lumturia dhe e ke të sigurt suksesin.

Ky shkrim është një Mirënjohje më shumë për Dr. Kapllanin, “Qytetar Nderi i Durrësit” dhe “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare”.