Nga Gëzim KABASHI

Me rastin e 31-vjetorit të formimit Shoqata “Durrësi” nderoi këto ditë kryetarin e saj të parë, Dr. Koç Moisiu.

Doktori i shquar është nga ata njerëz që do të kujtohen gjatë në Durrës.

Ai u bë një pikë referimi për familjet durrsake për shkak të profesionit human, të cilin e deshi shumë dhe nga i cili diktatura komuniste e privoi për mjaft kohë.

E bashkë me profesionin dr. Koçi deshi shumë edhe njerëzit, bashkëqytetarët dhe pacientët; madje për këta të fundit megjithë moshën e shtyrë që kishte, kujdesej edhe në banesë.

Diagnostikues i saktë dhe njohës shumë i mirë i të rejave shkencore, dr. Koçi u bë emblematik për mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit me të sëmurët dhe familjarët e tyre.

Një mjek i vërtetë evropian, i arsimuar në shkollat më të mira brenda dhe jashtë vendit.

Nga Italia në Bullgari

Në Durrës të gjithë e njohin “Kodrën e Moisiut”, që ka marrë emrin nga paraardhësit e Koç Moisiut, një familje me traditë shumëshekullore që i ka dhënë kombit mjaft njerëz të njohur.

Mes tyre edhe Aleksandër Moisiu, aktori i madh me famë evropiane.

Aty u lind më 25 shtator të vitit 1923 edhe doktori i ardhshëm, Koç Moisiu.

Dy vjet më vonë, menjëherë pas dështimit të qeverisë demokratike të Fan Nolit, familja Moisiu vendoset në bregun tjetër të Adriatikut.

Shkollimi i djaloshit do të ndjekë një trajektore të çuditshme dhe do të kalojë në tre vende nga përëndimi në lindje të kontinentit.

Në qytetin e Barit, në bregun përballë Durrësit, Koçi i vogël kreu shkollën fillore, ndërsa do të rikthehej në atdhe për të mësuar në Liceun e famshëm Francez të Korçës në periudhën 1934-1939.

Mbyllja e këtij institucioni të njohur në prag të Luftës së dytë Botërore e detyron Koçin e ri të përfundojë arsimin e mesëm në Liceun Klasik të Barit (Itali).

Rezultatet e shkëlqyera dhe mbështetja e familjes i japin mundësinë të fillojë studimet në fakultetin e Mjekësisë së Parmës, në një nga universitetet më të vjetra të botës.

Por edhe këtu lufta që përfshiu Evropën nuk e lejon të shkojë përtej vitit të tretë.

Me shpresën e një rizgjimi pozitiv të Shqipërisë familja e tij kthehet në Atdhe dhe Koçi fillon menjëherë të punojë në sistemin shëndetsor, fillimisht në vendlindje e më pas në qytetin e Gjirokastrës.

Por ëndrra për ti përfunduar studimet ishte e fortë.

Sapo kishte mbushur 25 vjeç, kur arrin në Bullgari, në Fakultetin e Mjeksisë së Sofjes. Ishte koha kur vëndet e ashtuquajtura të Demokracive lindore bashkëpunonin për formimin e specialistëve në fusha të ndryshme të shkencës dhe teknikës.

Koç Moisiu i nënshtrohet provimeve të para sapo mbërrin në Sofje. Në mungesë të dijenive për gjuhën bullgare pedagogët pranojnë që djaloshi shqiptar të përgjigjet në gjuhët angleze, franceze, gjermane dhe italiane. Edukimi familjar dhe kontakti me botën e qytetëruar po jepnin rezultatet e para.

Në vitin 1950 Moisiu i ri paraqitet me temën e diplomës “Abseset pulmonare”, e cila vlerësohet me medalje.

Kishte përfunduar shkollën e lartë në dy vjet e gjysëm.

Një gjysëm shekulli i vështirë

Ditën kur pedagogët, mjekë më të shquar në Sofje e kanë thirrur për herë të parë “koleg” dr. Koç Moisiu nuk ka menduar se gjysma e dytë e shekullit të 20-të do ti shkaktonte një dramë të madhe.

Që nga prilli i vitit 1951 punon si mjek në Elbasan dhe Tiranë, Milot, Ulëz dhe Burrel.

Më pas për 15 vjet ai i bashkohet disa mjekëve me emër në Durrës në spitalin civil të qytetit. Koç Moisiu tashmë ishte një doktor me emër, që kishte fituar respektin e pacientëve dhe familjarëve të tyre. Ndërkaq në një nga konferencat shkencore përveç temave të trajtuara më parë mbi kancerin e mushkërive, cirrozat e mëlçisë dhe anatominë patologjikë të tuberkulozit kishte referuar edhe “Mbi gjenetikën dhe sëmundjet”.

“Të flisje për gjenetikën në Shqipërinë komuniste të viteve 1960 nuk ishte një mëkat që falej lehtë – kujton Mela, bija e vetme e dr. Koçit.

Pas arrestimit në vitin 1969, për 11 muaj radhazi mbi të provohen tortura të çdo lloji-vijon Mela tregimin për babain e saj të ndjerë.

Mjaftuan katër fjalët “agjitacion dhe propogandë kundër pushtetit popullor” për dënimin, që edhe pse jashtë hekurave vuajtën padrejtësisht së bashku me të edhe bashkëshortja Bedrija, dhe vajza, Mela.

“Ishin kohë të vështira dhe mbaj mend që plot njerëz na u larguan, ashtu siç pati edhe të tjerë që me guxim qytetar u përpoqën të na jepnin kurajo”.

Dr. Koç Moisiu doli nga burgu 7 vjet më vonë, por në vend të stetoskopit autoritetet komuniste i ofruan kazmën e fshatarit. Do të duheshin shumë vite që doktori tashmë i thinjur të vishte përsëri bluzën e mjekut, në një degë shumë të veçantë, atë të onkologjisë.

Në vitet 1990 ai u bë një pikë referimi në qytet për shkak të jetës së trazuar, por edhe të kulturës dhe gjuhëve të huaja, që fliste shumë rrjedhshëm. Nismëtar për themelimit e shoqatës “Durrësi” ai zgjidhet kryetari i parë i saj, ndërsa më vonë me cilësinë e nënkryetarit të Shoqatës së të përndjekurve antikomunistë demokratë dr. Koçi përfaqëson Shqipërinë në disa nga konferencat më të rëndësishme evropiane.

Megjithë ngarkesën e veprimtarive brenda dhe jashtë vendit dr. Koçi nuk e ndjente moshën. Përkundrazi, ai vazhdonte të ishte pranë pacientëve të tij, pa harruar të përditësonte të rejat shkencore të profesionit të tij.

Ishte një lloj rilindjeje për doktorin durrsak, jeta e të cilit u shenjua padrejtësisht nga ndëshkimi i diktaturës paranojake.

Nipi Eno dhe Lorena, mbesa po rriteshin dhe u drejtoheshin shkollave më të mira të Evropës. Bashkë me demokracinë që agonte po shihte të realizuar edhe ëndrrën e shkollimit të “mjaltit të mjaltit”, ëndërr që për shumë vite ia mohuan së bijës Melës.

Dr. Koç Moisiu ndërroi jetë më 13 maj të vitit 2004.  

Një foto si kujtesë

Ka disa foto që flasin më shumë se mijra fjalë. Si kjo foto e dr. Koç Moisiut në fundin e viteve ’90. Nuk është e vështirë të kuptohet se ishte i gëzuar.

Njëlloj si në ditën kur mjekët e rinj të Durrësit e shpallën “Anëtar nderi të Shoqatës” së tyre. Ndjehej mirë edhe kur ndihmonte në komunikimin mes mjekëve e pacientëve shqiptarë me ata italianë të misionit humanitar “Pelikan”.

Ashtu të saktë  dhe konçiz e kujtoj në një nga emisionet “Trupi dhe shëndeti” të TVSH ku kam patur fatin të përkthej bashkë me të një lumë me pyetje që mbërrinin nga telefonuesit për specialistët italianë të misionit “Pelikan” në vitin 1992.

Me fjalët që i artikulonte me shumë kujdes dhe qartë, dhe me bindjen e plotë në rëndësinë që kishte profesioni i mjekut për jetën e njerëzve dr. Koç Moisiu do të kujtohet edhe për korrektesën proverbiale në marrëdhëniet me të gjithë ata që e rrethonin.

Pas disa muajsh plot 18 vjet pa dr. Koç Moisiun, mjekun që do të kujtohet shumë gjatë jo vetëm në Durrës.

Mela: Babai im, një nga Moisinjtë e fundit

Mela Moisiu, vajza e vetme e doktorit të nderuar tregon natyrshëm edhe për fisin e saj, origjina e të cilëve shkon deri te princi Moisi Golemi. Një familje që ka lëvizur në disa kahje të kontinentit të vjetër dhe të cilën fati, rrethanat dhe regjimet totalitare e kanë martirizuar si shenjtorët mesjetarë.

Mela flet me kënaqësi edhe për lidhjen e afërt që kishte gjyshi i saj me Aleksandër Moisiun, aktorin me famë që habiti spektatorët e viteve 1930 nga SHBA në Moskë, nga Viena në Romë.

-Është e vërtetë. Gjyshi im Demosteni dhe Aleksandër Moisiu ishin kushërinj të parë, pra me baballarët vëllezër.

Ende sot unë përdor një palë syze, të cilat kushëriri Aleksandër ia bleu gjyshes time Melanisë, gjatë një vizite mjeksore në Vienë. Më pëlqen ti mbaj ato syze 80-vjeçare, siç mbaj edhe emrin e gjyshes Melani.

Por Aleksandri është vetëm një pjesë e vogël e historisë së familjes sonë gjatë shekullit të kaluar.

-Dr. Koçi u shqua edhe për disa punime shkencore me vlerë. Cili ishte fati i tyre?

-Shumë i trishtuar. Kumtesat shkencore të babait në shoqatat e mjekëve për sëmundjet e brendshme, në atë të mjekëve obstetër gjinekologë apo edhe në sesione të tjera kanë qenë të shumta dhe me tema mjaft interesante.

Një pjesë e tyre iu bashkëngjitën dy punimeve me vlera të veçanta që babai realizoi në burgun e Bulqizës, atje ku kreu edhe pjesën më të madhe të dënimit. “Puna në minierat e kromit dhe silikozat” si dhe “Psikopatia e krimit” përveç vlerave profesionale ishin edhe një akuzë për mënyrën se si trajtoheshin dhe ushqeheshin të burgosurit që punonin në minierat e kromit.

Njëlloj si të parat edhe këto punime u botuan me emra të autorëve të tjerë, ose “humbën” nëpër shtëpitë botuese, siç e pësoi edhe përkthimi i librit të Cristian Barnard mbi transplantin e parë të zemrës.

-Dy fëmijët tuaj, Eno dhe Lorena Picorri kanë përfunduar studimet për mjeksi në Itali dhe punojnë në vendin fqinj. Kjo ishte edhe dëshira e gjyshit doktor?

-Besoj se ka ardhur në mënyrë të natyrshme. Por, kur Eno filloi studimet babai nisi ta trajtonte edhe atë si mjek. Debatet shpesh herë përfundonin me kërkime skrupoloze nëpër të gjithë librat e bibliotekës shumë të pasur që kishte babai.

-Ciat ishin pasionet e dr. Koçit?

-Gjuhët e huaja. Përkthente edhe nga latinishtja dhe greqishtja e vjetër. Por mbi të gjitha i pëlqente të dëgjonte muzikë klasike dhe të lexonte libra historikë.