Nga Gladiola Jorbus
Në këtë epokë, ku teknologjia ka prekur majat, fotografia vazhdon të mbetet riprodhimi i realitetit. Siç shprehet dhe poetja italo-kanadeze Silvana Stremiz, “Fotografitë janë memoria jonë, në kohën kur kujtimet fillojnë të humbasin’’.
Dihet rëndom se një mjek i specializuar në gjinekologji është përgjegjës për diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve a gjithçkaje tjetër që afekton sistemin riprodhues të femrave. Detyra e tij konsiston edhe në ndjekjen e gruas gjatë periudhës së shtatzënisë; detyrë kjo që mjeku obstetër – gjinekolog Vangjel Jorgo e ka përmbushur me sukses, në dekadat e gjata të karrierës së tij profesionale.
Por së fundmi, ai është përkushtuar pas një pasioni që ka të bëjë pikërisht me përjetësimin e jetës dhe kryesisht të natyrës së egër e të paprekur nga dora e njeriut. Fotografia është shfaqur tek ai dhe ka spikatur si një talent kualitativ.
Fotot e doktorit të mirënjohur obstetër – gjinekolog i qëndrojnë besnikërisht stoike, dëshirës së pandalshme për të zbuluar, memorizuar, – momente, persona, vende, gjallesa, dukuri, si dhe janë bërë pjesë e disa ekspozitave.
Të gjitha shkrepjet e tij të ngjallin emocione, pasi secila përmban në vetvete një frymëmarrje të papërsëritshme. Disa syresh eksplorojnë temat si: peizazhe, natyrë e qetë apo portrete. Por ndër fotografitë që mbërthejnë vëmendjen e publikut janë ato, me në fokus shpendët fluturues, aq të vështira për t’u realizuar.
Fotografitë e doktor Vangjushit (siç e njohin të gjithë) qeshin, fluturojnë, flasin, këndojnë, vallëzojnë, sfidojnë. Impakti që ato ndjellin është unikal, pasi fotografitë e tij nuk janë analfabete. Në heshtjen e tyre, lexojmë dinamikën e pareshtur të jetës.
Dora e fotografit “ngrin” njëkohësisht kohën, figurat, natyrën dhe kujtesën. Prej tyre mund të marrim frymëzim, ngushëllim, ndonjëherë dhe urtësi, sepse doktori i shoqëron vazhdimisht me aforizma e thënie.
Si një personazh i apasionuar pas fotografisë, edhe te Dr. Vangjel Jorgo veçon sensi i spikatur artistik. Objektivit të tij nuk i shpëton asgjë, sepse fotografia është poezia vizuale e jetës, dokumentim i rëndësishëm, selektim i së tashmes; ajo mbart mistere dhe përçon mesazhe të koduara.
Vazhdimisht Dr. Vangjushi ka gjurmuar jetën njerëzore që në ngjizjen e saj, kurse aktualisht po gjurmon dhe zbulon krijesat e ndryshme të natyrës, peizazhet piktoreske të Shqipërisë dhe vetë botën që na rrethon përmes “imazheve të shkruara në dritë”.