Qytetarët paraqesin vërejtje në lidhje me shpërndarjen e fondeve, vonesat e prezantimit te buxhetit, mungesën e sipërfaqeve të gjelbërta dhe investimeve në zonën e plazhit. Nënkryetari i Bashkisë Adrian Çela prezanton para durrsakëve dhe grupeve të interesit prioritetet e buxhetit të këtij viti 

Draftbuxheti i Bashkisë së Durrësit është prezantuar para qytetarëve durrsakë dhe grupeve të interesit, të cilët pasi janë njohur me mënyrën se si janë shpërndarë fondet dhe investimet që do të realizojë pushteti lokal kanë ngritur pyetje dhe kanë parashtruar problematikat që i shqetësojnë më tepër. Transparenca e buxhetit para qytetarëve është një inisiativë e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti dhe përmes saj synohet që qytetarët të marrin informacionin e nevojshëm lidhur me prioritetet e buxhetit të këtij viti si dhe të ngrenë para pushtetarëve vendorë pyetjet që i shqetësojnë. Kryetari i Këshillit Bashkiak e ka vlerësuar transparencën e projekt buxhetit para publikut dhe grupeve të interesit si një domosdoshmëri përsa i përket formatimit të një buxheti sa më efektiv dhe në dobi të qytetarëve.

Në fakt diskutimi mbi prioritetet e buxhetit dhe transparencën e tij ka nisur që më parë me inisiativën e Këshillit Bashkiak për tryezën e mjedisit, në të cilën u evidentuan fushat ku duhen orientuar projektet dhe investimet për një Durrës të pastër dhe të shëndetshëm nga pikëpamja mjedisore. Nga kjo tryezë dolën  propozime konkrete për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me riciklimin e mbetjeve urbane, studimet gjeologjike dhe ruajtjen e mjedisit në përgjithësi. Po kështu ka pasur një tryezë me arsimtarët, diskutime të hapura me grupet e interesit etj, në të cilat janë vjelur ide të dobishme për interesat e qytetit dhe qytetarëve, si dhe për një orientim sa më të mirë të fondeve publike.

Diskutimi në publik i draft buxhetit të Bashkisë së Durrësit u zhvillua pas një klime të tensionuar të provokuar nga debatet e nxehta mes mazhorancës dhe opozitës për shkak të vonesës së prezantimit të buxhetit të vitit 2012 si dhe çështjeve që kanë të bëjnë me miratimin e Këshillit të Kulturës dhe prezantimit të fondeve për aktivitetet e mëdha kulturore në Këshillin Bashkiak. Prezantimin e draft buxhetit para publikut e bëri nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Adrian Çela, i cili u ndal në prioritetet kryesore të këtij buxheti. Sipas nënkryetarit Çela,- “pavarësisht përballjes me një reduktim të ndjeshëm të të ardhurave të qytetit të Durrësit, profili i këtij buxheti do të konsistojë në një përafrim të mëtejshëm të kapaciteteve planifikuese dhe menaxhuese në drejtim të investimeve në punë publike, i koordinuar jo vetëm me pritshmërinë në rritje te komunitetit, por edhe me politikat e zhvillimit të qytetit sipas një kuadri të integruar politikash të rregullimit të territorit që kanë të bëjnë me vazhdimin e përmirësimit të ndjeshëm të infrastrukturës rrugore, përdorimin e mjeteve alternative të financimit me kredi për projektet e banesave sociale me qera etj”.

Në të njëjtën kohë Çela theksoi se rëndësi në këtë projektbuxhet i është rezervuar bashkëfinancimit të projekteve në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar të programit të para aderimit në BE. Ndërkohë, lidhur me një nga problematikat e ngritura nga durrsakët ndër vite e që ka të bëjë me sipërfaqet e gjelbërta Çela tha se do të vijojnë investimet për shtimin në sasi dhe cilësi të hapësirave të gjelbërta, si dhe përmirësimin e shërbimeve të tjera publike, që ndikojnë pozitivisht për një rritje cilësore të jetës në qytet. Rritja e kontributeve të shpenzimeve për shërbimet sociale; rritja progresive e shpenzimeve për mirëmbajtjen e infrastrukturës së qytetit, kryesisht për rrugët e ndërtuara, objektet arsimore, si dhe shërbimet e tjera publike; shpërndarja e planit të investimeve drejt zonave informale dhe atyre në nevojë duke i dhënë një natyrë sociale rishpërndarjes së kontributeve të komunitetit etj. ishin prioritete të tjera të projektbuxhetit të hartuar nga pushteti lokal. Pas prezantimit të objektivave të projektbuxhetit të këtij viti të pranishmit në këtë takim bënë pyetje dhe ngritën problematika në lidhje me buxhetin dhe situatën në qytetin bregdetar.

Anëtari i shoqatës “Durrësi” Koçi Koreta tha se situata përsa i përket gjelbërimit dhe hapësirave publike paraqitet problematike. Shembull për këtë ai përmendi zonën e lulishteve te muzeu i dëshmorëve që nga një lulishte pushimi për qytetarët, është kthyer në një zonë me lokale private. Po kështu qytetari Nevruz Çela ngriti shqetësimin përsa i përket investimeve në plazhin e Durrësit, të cilat lënë për të dëshiruar. Në të njëjtën kohë ai theksoi se pastrimi i vijës bregdetare bëhet me mjete primitive. Bashkim Kopliku i ngriti shqetësimin nënkryetarit të Bashkisë në lidhje me shkaqet se pse buxheti u prezantua disa muaj me vonesë dhe se a duhet të mbajë dikush përgjegjësi në lidhje me këtë situatë? Po kështu Kopliku shtroi pyetjen se a do të jetë e mundur që në këtë pjesë të vitit, duke nisur nga muaji maj apo qershor, kohë kur mund të miratohet buxheti, të realizohen zërat e programuar në buxhet?

Qytetarë të tjerë i kërkuar sqarime nënkryetarit Çela në lidhje me faktin e mospërfshirjes në buxhet të investimeve në disa rrugë të Plazhit apo Shkozetit si dhe për zënien e trotuareve publike nga tavolinat e lokaleve. Po kështu qytetarët kanë kërkuar sqarime në lidhje me rrugën e re hyrëse të Durrësit pranë territorit të portit detar, taksat, mos funksionimin e semaforëve në qytet dhe çështje të tjera.

Në lidhje me rrugën e re hyrëse të Durrësit, Çela ka deklaruar se tashmë ka një firmë fituese që duhet të realizojë projektin, por pas pretendimeve të pronësisë për tokën të Drejtorisë së Hekurudhave Shqiptare situata paraqitet e bllokuar. Sipas Çelës ministri i transporteve, Sokol Olldashi, në një komunikim verbal ka konfirmuar se do ta zhbllokojë situatën duke i çelur dritën jeshile investimeve.

Në lidhje me vonesat në prezantimin e projektbuxhetit Çela pa mohuar përgjegjësinë e Bashkisë së Durrësit duke deklaruar se ka pasur dy faktorë të rëndësishëm siç ishin: miratimi me vonesë i paketës fiskale dhe vendimi i Ministrisë së Financave përsa i përket prezantimit në buxhet të transfertës së pakushtëzuar.

Duke ju referuar problemit të mosfunksionimit të semaforëve, Çela ka sqaruar se Bashkia po shikon variantin më efiçent të vënies në funksion të rreth rrotullimeve. Përsa i përket mos përfshirjes në buxhet të disa investimeve në infrastrukturë në zonën e plazhit Çela ja ka faturuar gjithshka buxhetit të limituar të Bashkisë, për shkak dhe të paketës fiskale dhe mos funksionimit të KRRT-së. Sipas tij taksat për pastrim-gjelbërimin e Durrësit janë nga më të ultat në shkallë vendi.

Prioritet e projektbuxhetit

Investimet në punë publike të koordinuara jo vetëm me pritshmërinë në rritje te komunitetit, por edhe me politikat e zhvillimit të qytetit sipas një kuadri të integruar politikash të rregullimit të territorit.

Vazhdimin e përmirësimit të ndjeshëm të infrastrukturës rrugore. 

Përdorim të mjeteve alternative të financimit me kredi për projektet e banesave sociale me qera. 

Bashkëfinancimin në projekte në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar të programit të para aderimit në BE.

Vijimin e investimeve për shtimin sasior dhe cilësor të hapësirave të gjelbërta, si dhe përmirësimin e shërbimeve të tjera publike, që ndikojnë pozitivisht për një rritje cilësore të jetës në qytet. 

Rritjen e kontributeve të shpenzimeve për shërbimet sociale, duke synuar një rritje cilësore dhe sasiore të tyre.

Rritjen progresive të shpenzimeve në mirëmbajtjen e infrastrukturës së qytetit, kryesisht për rrugët e ndërtuara, objektet arsimore, si dhe shërbimet e tjera publike.

Shpëndarjen e planit të investimeve drejt zonave informale dhe atyre në nevojë, përkundrejt atyre formale dhe kontribuese në buxhetin e Bashkisë, duke i dhënë një natyrë sociale rishpërndarjes së kontributeve të komunitetit.