Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i prezantuar nga Bashkimi Evropian, duhet ndarë edhe me partitë opozitare.

“Meqenëse është kërkesë e vet emisarëve ndërkombëtarë që mos t’i bëjmë publike komentet, pa i bërë ata vet publike draftin që e kanë prezantuar, do ta respektoj këtë kërkesë. Edhe pse mendoj që nga fillimi ka qenë e padrejtë dhe tërësisht e pa arsyeshme që ky draft mos të ndahet edhe me liderët e opozitës. Ata përfaqësojnë si parti politike qytetarë të Republikës së Kosovës, kështu që si presidente kam insistuar nga dita e parë që ky draft të ndahet edhe me ta dhe shpresoj shumë që së shpejti ata që janë autorë të këtij dokumenti do ta japin edhe miratimin për një gjë të tillë”, u shpreh ajo.

Osmani ka thënë gjithashtu se draft-statuti i Asociacionit ka çështje të cilat krijojnë dykuptimësi.

Ajo më tej u shpreh se shpreson që do të eliminohen para se drafti të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

“Në qoftë se drafti procedohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë si presidente e vendit do t’i dorëzojë komentet. Unë kam punuar në analizë të këtij dokumenti. Komentet me shkrim të cilat i kam përgatitur, i kanë të gjithë akterët relevantë të cilët kanë qenë të involuar në përgatitjen e këtij drafti, përfshirë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka çështje të cilat patjetër duhet të sqarohen, sepse krijojnë dykuptimësi, e rrjedhimisht do të mund të shkaktonin probleme në praktikë. Me shpresën që ato mund të eliminohen edhe në këtë fazë, pra para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese. Mirëpo në qoftë se jo unë jam e bindur që Gjykata do i sqarojë ato duke u bazuar edhe në interpretimet e vet gjykatës që i ka dhënë në vitin 2015, shumë prej të cilave janë si parime udhërrëfyese tani për çfarëdo asociacioni”, deklaroi Osmani.