Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kërkon që të respektohet procesi i Komisionit të Venecias, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në një deklaratë mbrëmjen e kësaj të premteje, ambasada amerikane thotë se nxiten të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet.

“Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet. Po ashtu mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë”,- thotë ambasada.

Më tej bëhet thirrje për të qëndruar të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi- sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Europë.