Maxhoranca ka futur në rendin e ditës votimin për projektligjin e dyshimtë mbi Teatrin Kombëtar, një akt i cili ka sjellë dhe debate në kuvend, aty ku kryedemokrati Basha ka akuzuar kryetarin e Parlamentit Gramoz Ruçi, se po përdoret si një lolo.
Basha ka folur nga vendi duke deklaruar se projektligji në fjalë do të vërë në rrezik paqen sociale në vend, vetëm për hir të nevojës së qeverisë së Ramës për të falur mbi 250 mln euro tek miqtë e tij, të cilët do të ndërtojnë kullat në zonën e Teatrit Kombëtar.
Sipas Bashës vendimi për të futur me procedurë të përshpejtuar këtë draft është një gafë e madhe ligjore për të cilën kryeparlamentari duhet të mbajë përgjegjësi.
Basha: Jo vetëm doni të vidhni 250 mln euro me një dorë, jo vetëm doni të shkatërroni Teatrin Kombëtar, por edhe procedurën e ligjit e shkelni. E bëni këtë sepse ky vend nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Po të kishte Gjykatë Kushtetuese do të konsiderohej e paligjshme. Kur ju e merrni në dorë dhe dilni mbi ligjin me 200 mln euro me kullat e Teatrit. Si mund të mbrohet rendit kushtetues kur Edi Rama me 15 të tjerë grabisin gjithçka dhe të përdorin ty si Lolo duke shkelur
Nuk ka asnjë urgjencë për të shembur Teatrin. Tërhiquni nga kjo masakër. Po i vini minat jo thjesht procedurave parlamentare por paqes sociale në vend.
Si kundërpërgjigje, kryetari i Kuvendit Ruçi i është drejtuar Bashës duke i kërkuar që të tërhiqej nga termi “lolo”.
Ruçi: Në radhë të parë termin gënjen dhe ta përdorin kryetarin e parlamentit si lolo… do tju kërkoja me shumë etikë ti tërhiqni, pasi as më gënjen as më përdor dot njeri, se nuk kam moshë të gaboj e të më përdorin.
Në përfundim të seancës, maxhoranca me votat e saj ka votuar draftin, i cili tashmë hyn në rendin e ditës me procedurë të përshpejtuar e kësisoj mund të votohet seancën tjetër parlamentare për të marrë kështu fuqi ligjore.
Projektligji në fjalë i jep pa garë apo tender një kompanie të drejtën për të ndërtuar mbi tokën e Teatrit Kombëtar, kur ky i fundit do të shembet për t’i lënë rrugën godinës së re. Drafti në fjalë është kundërshtuar ashpër po ashtu edhe nga artistët.





