Porto befasoi Arsenalin në stadiumin “Dragão” duke fituar ndeshjen e parë të fazës me eliminim 1-0 në “frymëmarrjet e fundit të ndeshjes”.

Zhgënjimi ishte i madh pas ndeshjes tek trajneri Mikel Arteta, që deklaroi se duhet të nxjerrin mësime nga kjo humbje.

“Është e vështirë të luash në këtë stadium. Porto është një skuadër e organizuar mirë. Ne patëm disa probleme, sidomos në pjesën e parë. Dhe e kam fjalën për aspektin ofensiv. Do të nxjerrim mësime nga kjo humbje. Për t’u kualifikuar në çerekfinale duhet të triumfosh përballë kundërshtarit tënd. Dhe kjo është ajo çfarë duam të bëjmë në ndeshjen e kthimit”, u shpreh Arteta.

Trajneri spanjoll nuk i kurseu kritikat për arbitrimin dhe vonesat e lojës nga lojtarët portugezë.

“Dukej sikur nuk mund të preknim askënd prej tyre, sepse jepej menjëherë faull kundër nesh.

 Ata e tepruan me hedhjet e tyre, por do të përgatitemi më mirë për ndeshjen e kthimit. E kemi plotësisht të qartë se çfarë duhet të bëjmë. Duam të fitojmë dhe të kualifikohemi në fazën tjetër të kompeticionit”, tha Arteta.

Arsenali mungon në fazën çerekfinale të Champions League që nga sezoni 2009/2010. Ndeshja e kthimit përballë Portos do të luhet në “Emirates Stadium” në datën 12 mars, fitorja është alternativa e vetme për “Topçinjtë” për të kaluar në fazën tjetër.