Një staf mjaft i përzgjedhur aktoresh dhe një shfaqje që nuk duhet humbur në datat 8 dhe 9 prill në teatrin e Durrësit.

11 personazhe që kanë vetëm 1 orë e 30 minuta kohë për të kthyer një përgjigje! Vepra me regji të Driada Dervishit sjell një tekst të fuqishëm të një prej autorëve më të suksesshëm bashkëkohorë, Stefano Massini, fituesin e parë italian të një çmimi Tony Award.

Në këtë shfaqje interpreton një trupë aktoresh të mirënjohura si: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Anila Bisha, Rudina Dembacaj, Adelina Muça, Alesia Xhemalaj, Paola Kodra, Ajlin Petrela dhe Xhoana Karaj.

Pjesa teatrale trajton historinë e një grupi punëtoresh të një biznesi tekstilesh, i cili do të blihet nga një kompani shumëkombëshe. Vepra që i flet mirë kohëve që po jetojmë përcjell një shumësi mesazhesh, nga të cilat qendrore mbetet lufta e grave për të drejta dhe barazi gjinore.