Xhuliana, një 21-vjeçare nga një fshat i Librazhdit ka rrëfyer sot në “Ka një mesazh për ty” historinë e trishtë të jetës së saj, mamasë dhe dy motrave. Ajo thotë se është rritur pa babanë, i cili nën ndikimin e alkoolit dhunonte të ëmën e s’e ndalte dorën as para vajzës në moshë të vogël.
Xhuliana tregon se kushtet ekonomike e detyruan nënën e saj, Emine, t’i ndante tri vajzat për disa vite. Si fillim, ajo mori Xhulianën për t’u zhvendosur në një fshat të Librazhdit, ndërsa dy vajzat më të vogla i la te gjyshërit e tyre në Durrës.
“Babi na dhunonte edhe mua, edhe mamin. Isha vetëm tre vjeҫ, por i mbaj mend shumë mirë goditjet, alkooli bënte të vetën, më gjuante me ҫ’të mundte. Erdhi një ditë që mamit iu bë jeta e padurueshme. Në atë kohë, unë isha 7 vjeҫ, njëra nga motrat dy, ndërsa tjetra një. Pasi mami u largua, ne qëndruam dy javë me babin, por ai as nuk e merrte mundimin të kujdesej për ne. Unë isha akoma e vogël, ai nuk rrinte fare në shtëpi. Pas pak javësh, ika edhe unë, ndërsa motrat e mia i mori nëna në Durrës. Unë me mamin në Librazhd, qëndruam te njerëzit e mamit për disa kohë, pastaj u zhvendosën në Tiranë,” – tregon Xhuliana.
Pas transferimit në Tiranë, ajo ndërpret shkollën dhe fillon punë në një fabrikë të prodhimit të shapkave, për shkak të kushteve të vështira ekonomike.
“Erdhëm në Tiranë në vitin 2010, mami filloi punë me rrogë të vogël, unë isha vetëm 14 vjeҫ. Për ushqimet na ndihmonte edhe tezja. Motrat në Durrës i takonim më shpesh, por mungesa e babit ishte e pashmangshme. Ai as nuk na merrte në telefon, të paktën një ditë kur kishim ditëlindjen. Unë nuk e kisha asnjëherë pranë dhe kjo është brenga ime më e madhe. Në çdo festë, çdo gëzim, shikoja mërzi në familjen time, sepse mungonin motrat, babi”, – thotë vajza.
Përballë kishte sot nënën dhe motrat, të cilat i ka përlotur në emision. Motrave u ka kërkuar të mësojnë, të punojnë dhe të ndihmojnë mamanë, të mos e lënë shkollën përgjysmë, sikurse bëri Xhuliana dhe të luftojnë për një të ardhme më të mirë.