Nga gëzimi për debutimin me fitore në Evropian, te trishtimi për humbjen e një personi shumë të dashur. Festa për suksesin e arritur me rezultatin 1-0 ndaj Turqisë në ndeshjen e parë të grupit D, nuk zgjati shumë te përfaqësuesja kroate, pasi menjëherë pas asaj sfide te gjithë futbollistët mësuan lajmin e dhimbshëm për ndarjen nga jeta të babait të Dario Srnas.

Teksa futbollisti i Shakthar Donetsk ishte duke shkëlqyer në fushë me përfaqësuesen ballkanase i ati i tij që prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë, u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare. Në momentin e fundit të jetës babai i Dario Srnas po ndiqte djalin e tij i cili me shiritin e kapitenit në krah po udhëhiqte Kroacinë drejt një fitoreje të rëndësishme në sfidën me Turqinë.

Kroacia qan kështu ndarjen nga jeta të babait të kapitenit të saj. Menjëherë pasi mësoi lajmin e hidhur 34-vjeçari u nis drejt Kroacisë për funeralin, ndërsa do ti bashkohet sërish kombëtares kroate për sfidën e radhës ndaj Republikës Ceke. Mesazhet ngushëlluese për futbollistin nuk munguan me federatën kroate të futbollit që në faqen zyrtare në Twitter shkruante: ” I dashur kapiten, jemi me ty dhe me familjen tënde”.