Një kast aktorësh nga Shqipëria dhe Kosova, të bërë bashkë për premierën e dramës “Gjithçka rreth Iv”. Një dramë kushtuar ambicies dhe egos së sëmurë për të bërë përpara në karrierë, pa llogaritur pasojat apo dëmet që mund t’u shkaktosh të tjerëve.

“Është një vepër që për mua i flet të gjithë shoqërisë, sepse ka shumë intrigë brenda. Flet mbi atë se çfarë mund të bëjë njeriu për të arritur lart në karrierë. Ky është një nga mesazhet kryesore të dramës. Dhe kjo nuk i takon vetëm teatrit, pavarësisht se në këtë rast është teatri vendi ku zhvillohet ngjarja. Kjo i takon mjekut, inxhinierit etj. Kjo është bota pas kuintave”,- thotë për “DurrësLajm” regjisori dhe aktori Hervin Çuli.

Eve Harrington, personazhi kryesor që është gati të bëjë gjithçka për t’u bërë një aktore e famshme, interpretohet nga Ermira Hysaj, e bërë së fundmi pjesë e trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu”. Për Ermirën interpretimi para publikut durrsak është një përgjegjësi e dyfishtë këtë herë, ndërkohë që e vlerëson si mjaft të suksesshëm bashkëpunimin e aktorëve nga të dy anët e kufirit shqiptar.

“Kasti i aktorëve ka qenë i mrekullueshëm dhe përveç vështirësive ka pasur shumë gëzim, hare, mirëkuptim dhe mbi të gjitha komunikim”.,- thotë ajo.

Të njëjtin mendim me Hysajn ndajnë dhe kolegët e saj Hervin Çuli dhe Kushtrim Sheremeti.

“Kjo është një shfaqje që ka një bashkëpunim me një grup aktorësh nga më të mirët që janë sot për sot në Kosovë dhe Durrësi ishte qyteti i cili na ofroi një bashkëpunim shumë të mirë. Kemi punuar pak në kushte ekstreme, por ka qenë një impenjim total, me orare të zgjatura. Kemi pasur shumë dëshirë të punojmë me njëri – tjetrin”,- deklaron Çuli.

“Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë dhe kënaqësi e veçantë të mblidhen bashkë aktorë shqiptarë nga Prishtina, Tirana dhe nga Durrësi që të punojnë në një pjesë teatrale. Ndër të tjera kjo ka shërbyer edhe si shkëmbim eksperiencash, jo vetëm si punë e profesionistëve të përbashkët. Secili prej nesh, pavarësisht nga vijmë kemi arritur të mblidhemi bashkë dhe besoj se kjo do të jetë një nismë e mirë për shumë e shumë projekte të tjera në të ardhmen”.,- thotë Sheremeti.

Drama “Gjithçka rreth Iv” është bazuar në filmin amerikan me po të njëjtin titull, të realizuar në vitin 1950 nga Joseph L. Mankiewicz dhe shumë të vlerësuar nga kritika e kohës.  E përqendruar në paskuintat e jetës teatrore, në marrëdhëniet mes aktorëve, dramaturgëve  etj drama synon të shpalosë para publikut “luftën” që bëhet në prapaskenë për sukses dhe famë.

Drama “Gjithçka rreth Iv” do të shfaqet për publikun durrsak edhe mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës.

M.B.