Ende e pavënë në skenë, drama “Shkurorëzimi” e shkrimtarit durrsak Enton Bido zbuloi vetëm një fragment të saj mbrëmjen e së shtunës.
Nën interpretimin e aktorëve, Mimoza Marjanaku dhe Xhuliano Brisku, Odiseja dhe Penelopa e antikitetit grek sollën para publikut një pjesë nga dramaciteti i takimit të tyre pas 20 vitesh ndarjeje.
Por krejt ndryshe nga miti i Penelopës besnike dhe Odisesë që pas mijëra peripecish mbërrin në mbretërinë e tij, Bido ka sjellë një fabul të përmbysur, duke i paraqitur dy heronjtë antikë në një perspektivë komplet ndryshe.
Në dramaticitetin e përballjes Penelopë-Odise, profesor Përparim Kabo bëri një paralelizëm me Penelopat e kohëve moderne, ato të Shqipërisë sonë, që shpesh presin burrat pas viteve të tëra emigrim.
Takimin e dy protagonistëve, që nuk u kishte mbetur më asgjë nga dashuria që dy dekada më parë i kishte lidhur në martesë, Kabo e krahasoi me dramën e shumë familjeve shqiptare, që i drejtohen divorcit si zgjidhje për kontradiktat në çift apo historive paralele e tradhtive bashkëshortore.
Ndërsa vetë autori Bido bëri një paralelizëm tjetër mes mitit të letërsisë antike greke me mitologjinë tonë, ku gruaja që pret burrin mishërohet në eposin tonë të kreshnikëve me historinë e Ago Ymerit.