Të vendosura përballë dilemës për humbjen e vendit të punës, por edhe humbjes së 7 minutave aq të shtrenjta të pushimit, 11 grave u duhet të marrin një vendim që mund të ndryshojë jo vetëm të drejtat e tyre, por edhe mijërave punonjëseve të tjera.
Drama sociale “7 minuta” me regji të Driada Dervishit erdhi mbrëmjen e së hënës premierë për publikun durrsak për të përçuar përmes diskutimeve të 11 grave dhe historive personale të tyre mesazhin mjaft të rëndësishëm; ruajtjen e dinjitetit njerëzor.
Shfaqja “7 Minuta” bëri bashkë në skenë 11 aktore, emra mjaft të njohur si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Olta Daku apo Zamira Kita si dhe shumë të reja të talentuara.
Për herë të parë, regjisorja Dervishi solli për publikun shqiptar dramaturgun italian Stefano Massini, fitues të çmimit Tony Awards, që përmes teksteve të tij përcjell mesazhe të përbotshme.
Mes debateve, diskutimeve, lotëve dhe të qeshurave, përgjatë 1 ore e gjysëm, 11 personazhet e shfaqjes duhet të marrin vendimin dhe t’ua komunikojnë atë pronarëve të rinj. Është pikërisht kjo votë, që ndryshon jo vetëm jetët e tyre, por edhe të mijëra punonjësve të tjerë përgjithmonë.
M.B.





