Drama “Ylli pa emër” i autorit Rumun Mihael Sebastian ka nisur provat në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, nën regjinë e Erion Kames.
Për të dytin vit me radhë regjisorit Erion Kame i është besuar një projekt i tillë, ndërsa rolet u janë besuar aktorëve Andia Xhunga, Besmir Bitraku, Edmond Halili, Gjergj Doçi, Adelina Muça.
Në rolin e asistent regjisores vjen për herë të parë Mimoza Marjanaku, një aktore me eksperiencë në këtë teatër.
Regjisori Erion Kame në një intervistë për “Durrës Lajm” pohoi se trupa e teatrit të Durrësit, është ndër më të mirat në vend aktualisht.
Drama e autorit rumun sjell aktualitetin shqiptar, por edhe atë global. Trajton temën e vetmisë së njeriut të sotëm, i cili si rrugë shpëtimi ka vetëm të gjejë dashurinë, por edhe dashutria është me pikatore. Aktorja Adelina Muça vjen në rolin e një vajze të vetmuar e cila ka mbetur në një qytet të vogël, pa të ardhme. Mundësia e një vetëvrasjeje prej saj, diskutimet me mësuesin e qytetit që vjen nga roli i aktorit Besmir Bitrakut, ndërthurja me punonjësin e administratës që vjen nëpërmjet Edmond Halilit, shtjellohen në dramën “Ylli pa emër”.
Përgatitjet sapo kanë nisur dhe sipas regjisorit Kame, drama pritet të vihet në skenë në fillim të pranverës.
K.H.