Durrës, 24 prill 2014 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka nënshkruar një marrëveshje që do t’i hapë rrugë binjakëzimit të Durrësit me qytetin e Bitontos në Itali. Gjatë një vizite zyrtare në Bitonto, qytet në afërsi të Barit, kryebashkiaku Dako është pritur në bashkinë e qytetit në një ceremoni të veçantë të organizuar për nder të tij.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i këshillit bashkiak të Bitontos, Vito Palmieri, nënkryetarja e Bashkisë së qytetit Rosa Calo, zyrtarë të lartë vendorë, qytetarë shqiptarë që jetojnë në Bitonto si dhe studentë të Institutit Sylos. Në këtë ceremoni kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka marrë titullin “Mirënjohje e Qytetit” të Bitontos, titull i cili i është dorëzuar nga Palmieri dhe Calo.

Më pas kryebashkiaku Dako dhe nënkryetarja e bashkisë së Bitontos, Calo, kanë nënshkruar marrëveshjen e përbashkët e cila është hapi i parë drejt binjakëzimit të dy qyteteve, Durrësit e Bitontos.

Sipas zyrës së shtypit të bashkisë së Durrësit, në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i këshillit bashkiak të Bitontos, Vito Palmieri deklaroi se: “Dy qytetet tona janë pika referimi për një zonë mjaft të gjerë. Në rajonin e Pulias ka një komunitet të madh shqiptarësh, ndërkohë pozicioni strategjik i portit të Durrësit e bën atë shumë të rëndësishëm për të gjithë rajonin. Jam i sigurtë që binjakëzimi midis Bitontos dhe Durrësit do të afrojë edhe qytete e rajone që janë pranë dy qyteteve tona gjë që do të rrisë dhe do ta zgjerojë bashkëpunimin midis dy vendeve”.

Nga ana e saj, nënkryetarja e bashkisë së Bitontos, Rosa Calo, deklaroi se ekzistojnë lidhje të ngushta midis Italisë dhe Shqipërisë.

“Ka shumë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Bitonto, por të shumtë janë edhe italianët që janë transferuar në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë. Për ata është e e rëndësishme që të ketë raporte të ngushta midis bashkive të dy qyteteve tona.” Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako pasi ka falenderuar të pranishmit për titullin që ju akordua nga bashkia e Bitontos deklaroi në fjalën e tij se rruga drejt Bashkimit Europian kalon nga Italia. “Deti Adriatik nuk i ndan, por i bashkon vendet tona”,- theksoi Dako.

“Binjakëzimi i Durrësit me Bitonton është një proces i rëndësishëm. Shqipëria kërkon të hyjë në BE dhe rruga drejt Bashkimit Europian kalon nga Italia. Realizimi i këtij binjakëzimi do të sjellë shumë shkëmbime kulturore, ekonomike dhe turistike midis dy qyteteve tona, por edhe midis Durrësit dhe zonës së Pulias në përgjithësi”,- tha më tej Dako.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/