·“Dyrrah”- i shpreh ngushëllime të snqerta familjes për këtë humbje të madhe, një dhembje e pashuar shtesë në kalvarin e trishtuar të poetit

DURRËS, 20 dhjetor 2014   Një gjëmë e madhe ka gjetur shtëpinë e poetit të shkëlqyer disident, ish-ministër i Kulturës, Visar Zhiti, teksa aksidentalisht i vdes i biri, Atjoni, fëmija i vetëm, i cili në mëngjesin e së shtunës shkonte me motor drejt Durrësit, vendlindja e përndjekurit të diktaturës komuniste.

Ka ndodhur një aksident në autostradën Tiranë-Durrës mëngjesin e 20 dhjetorit 2014, në afërsi të QTU-së, ku gjeti vdekjen Atjon Visar Zhiti, 19 vjeç dhe plagosur rëndë shoku i tij, 20-vjeçari Serxhio Matjani. Atjoni po udhëtonte si pasagjer me motor, nga Tirana për në Durrës, kur u përplas me trafikndarësen. Serxhioja, i cili drejtonte motorin, ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin ushtarak. Policia dyshon se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe dhe mospërdorimi i mjeteve mbrojtëse, si skafandra. 19-vjeçari ishte kthyer në Tiranë për festat e fundvitit. Ishte studenti i filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano. Ai ishte dhe djali i vetëm i Visar Zhitit.

Redaksia e “Dyrrah”-ut i shpreh ngushëllime e saj të sinqerta familjes Zhiti për këtë humbje të madhe, një dhembje e pashuar shtesë në kalvarin e trishtuar të Visarit.

Info

I lindur në Durrës më 2 dhjetor 1952, Visar Zhiti, pas mbarimit të studimeve pedagogjike në Shkodër u emërua mësues në Kukës. Në atë kohë ai nisi të botonte poezitë e tij të para në revistat letrare të asaj kohe. Por menjëherë pas kësaj ai do të prangosej, pasi dorëshkrimi i përmbledhjes së tij “Rapsodia e jetës së trëndafilave” do të kritikohej për gabime të rënda ideologjike dhe nxirje të realitetit socialist. Nga viti 1979-1987 ai vuajti dënimin në burgun e Tiranës e më pas në atë të Spaçit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/