Nevoja për profesionistë me arsim të lartë dhe njohje të thellë në fusha të rëndësishme dhe që veçanërisht i vijnë në ndihmë një sektori jetik siç është bujqësia në vendin tonë, po kthehet gjithnjë e më shumë në qendër të vemëndjes. Mbyllja e ciklit të tretë të studimeve, apo doktoraturës erdhi si rezultat i rënies së cilësisë së punës kërkimore në universitete, pasi rezultoi në raste të shumta plagjature dhe dhënie të pakontrolluar të gradës shkencore. Së fundmi, në kuadër të programit Erasmus + CBHE, në Universitetin Bujqësor të Tiranës pritet të happen programet e studimeve PHD për shëndetin e bimëve në bujqësinë e qëndrueshme. Përveç UBT-së, në këtë projekt përfshihet edhe universiteti “Fan Noli” i Korçës, si dhe universitete të rëndësishme në BE dhe rajon, mes të cilave universitete në Itali, Greqi, Kroaci e Bullgari, si dhe ato në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, duke dëshmuar një frymëmarrje të re dhe rëndësi të veçantë që po i kushtohet kërkuesve shkencorë në fushën e bimëve dhe bujqësisë. Ky sektor kaq jetik është gjithnjë e më pak i dëshiruar mes studentëve shqiptarë, ndërsa e sotmja dhe e ardhmja e tij janë mjaft premtuese.

Prof. Magdalena Cara, pedagoge pranë UBT-së dhe përfaqësuese e programit shprehet se ky projekt synon të harmonizojë kurrikulën me praktikat më të mira të universiteteve të BE-së dhe të rajonit, si dhe të krijojë supervizime të përbashkëta për të rritur cilësinë e kërkimit dhe të publikimeve shkencore në vend. Nevoja për profesionistë të mirë të shëndetit të bimëve për një bujqësi të qëndrueshme është e lartë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në shtetet e tjera partnere në këtë program që synon jo vetëm modernizimin r studimeve të doktoraturës, po dhe të krijojë një rrjet kërkimor të aftë për t’iu përgjigjur sfidave aktuale në shëndetin e bimëve, sfida që vitet e fundit janë gjithnjë e më të shumta.

Platforma për arsimin e doktoraturës në çështjet e shëndetit të bimëve që do të ngrihet midis universiteteve partnere konsiderohet unike. Sipas Carës, përmbajtja shkencore dhe rezultatet e të nxënit të kurseve të ndryshme do të përmirësohen dhe harmonizohen, ndërsa pedagogët do të trajnohen me metoda të reja didaktike në supervizimin e studentëve të doktoraturës. “Krijimi i rrjetit shkencor midis shkencëtarëve, lëvizshmëria dhe shkëmbimi i studentëve dhe stafit, së bashku me ngritjen e qendrave diagnostike dhe trajnuese do të përmirësojë kapacitetet njerëzore të vendeve kandidate për të përshtatur politikën e BE-së në shëndetin e bimëve, për të zhvilluar dhe prezantuar strukturat e reja me metodat e zvogëlimit të pesticideve në praktikën bujqësore dhe për të kryer dhe/ose të marrin pjesë në kërkimet në fushën e shëndetit të bimëve në nivel ndërkombëtar.”- thekson prof. Magdalena Cara e cila sqaron më tej se aktivitetet do të lejojnë njohjen ndërkombëtare të kurseve dhe do të mundësojnë arsimimin e shkencëtarëve të rinj në shëndetin e bimëve të gatshëm që të bashkëpunojnë dhe të marrin pjesë në kërkimet shkencore në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

HarISA, projekti i harmonizimit dhe inovacionit në programet e studimeve PHD për shëndetin e bimëve në bujqësinë e qëndrueshmë është një dritare e hapur për të gjithë të diplomuarit e interesuar për të thelluar studimet e tyre në këtë fushë, me një program doktorature të njohur edhe jashtë vendit.