Maqedonia mund të arrijë një marrëveshje me Greqinë për çështjen e emrit brenda vitit të ardhshëm. Mediat greke thonë se palët janë fare pranë zgjidhjes së këtij problemi dhe marrëveshja për emrin e ri mund të nënshkruhet brenda vitit 2018. Emri më i pranueshëm nga të dyja palët, që do të zëvendësojë ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë është Maqedonia Veriore.
Për Shkupin zyrtar, Maqedonia Veriore shihet edhe si emri më i përshtatshëm për t’u përdorur ndërkombëtarisht. Ndërsa për negociatorin grek Methju Nimiç bëhet fjalë për një emër që i plotëson kushtet për të bërë dallimin nga krahina greke e Maqedonisë.
Prej vitit 2006, Greqia bllokon hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Europian, pasi pretendon se ky toponim përbën një rast unik që i përket identitetit, kulturës dhe historisë së lashtë greke.
Ndaj qeveritë e deritanishme në Athinë kanë kërkuar që Maqedonia të gjejë një tjetër emër për t'u njohur ndërkombëtarisht. Shpresat janë që me ardhjen në pushtet të qeverisë pro-europiane të Zoran Zaevit, ky problem të zgjidhet një herë e mirë.