Deputeti demokrat, njëherësh kandidat për zgjedhjet vendore në Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi deklaron se raporti i djeshëm i publikuar Departamenti Amerikan i Shtetit tregoi Shqipërinë e vërtetë: Drejtësi jo e lirë, korrupsion i frikshëm dhe media të kapura.
Përmes rrjeteve sociale, Boçi shprehet se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit praktikisht ka rrëzuar një qeveri të kalbur që qëndron ende në pushtet me forcën e parave të pista dhe shpërdorimit të çdo resursi shtetëror sa herë që ka procese zgjedhore.
“Raporti i DASH tregoi Shqipërinë e vërtetë! Drejtësi jo e lirë! Korrupsion i frikshëm! Media të kapura!
Babëzia dhe egoja e sëmurë e Edi Ramës për të kapur çdo pushtet dhe kufizimi i çdo mediumi për të thënë i lirë dhe i pavarur atë që sot po ndodh në Shqipëri, po e çojnë vendin në zgrip të kufizimit të demokracisë si kurrë më parë.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit praktikisht ka rrëzuar një qeveri të kalbur që qëndron ende në pushtet me forcën e parave të pista dhe shpërdorimit të çdo resursi shtetëror sa herë që ka procese zgjedhore.
A ka sot Shqipëria drejtësi të pavarur ashtu siç parashikohet në kushtetutë? “Presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në raportin e DASH.
A ka sot korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisjes? “Korrupsioni ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë edhe prokurimin publik dhe partneritetet publiko-private”, thuhet në raportin e DASH.
Por e dhëna më shqetësuese në raportin e DASH, lidhet me gjendjen e medias në Shqipëri! “Qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente”. Rasti më flagrant i përmendur në raport është ai i shembjes së “Prestige Resort”, të pronarit të “Focus Media Group”, Irfan Hysenbelliu, në dhjetorin e vitit të kaluar!
Kjo është panorama e zezë e një Shqipërie që është e bukur vetëm për Edi Ramën dhe pushtetarët e tij. Kjo është Shqipëria që nuk bën progres! Kjo është Shqipëria që ka ëndërruar Edi Rama në projektin e tij për të rikthyer diktaturën në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare! Kjo është Shqipëria që duam të ndryshojmë! E nisim ndryshimin nga qytetet tona”, deklaron në reagimin e tij deputeti demokrat, Luçiano Boçi.