Itali, 12 maj 2014–  Prostituta shqiptare Fize Lushi që akuzohej nga prokuroria se kishte vrarë klientin e saj, 44-vjeçarin Salvatore Cercabene është shpallur e pafajshme nga gjykata e Milanos. Cercabene u gjet i vdekur në makinën e tij në periferi të Milanos më 21 qershor 2012.

22-vjeçarja Lushi ka pohuar se ka qenë në makinë me viktimën por nuk e ka vrarë ajo. Prostituta shqiptare ka pohuar se është rrahur dhe narkotizuar prej klientit dhe më pas ka humbur ndjenjat në makinë. Kur është zgjuar ka parë që Cercabene ishte i vdekur dhe e trembur është larguar, ashtu siç dokumentojnë edhe kamerat e sigurisë të sekuestruara nga policia italiane pranë vendit të ngjarjes. 44 vjeçari Cercabene kishte një precedent të mëparshëm, kur ishte dënuar me 6 vite burg për keqtrajtim të një prostitute.

Gjykata nuk i pranoi provat e paraqitura nga prokuroria dhe shpalli të pafajshme prostitutën shqiptare, që menjëherë pas vdekjes së klientit të saj ishte kthyer në Shqipëri, madje kishte ndryshuar edhe emrin.

Ndërkohë, pafajësinë e ka fituar edhe një maragoz 31 vjeçar nga Kosova. Gjykata e Brescias ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga një 27 vjeçare, e cila kishte deklaruar se ishte dhunuar seksualisht nga kosovari, ndërsa kishin dalë së bashku.

31 vjeçari kosovar ka pranuar para trupit gjykues se kishte qenë vajza ajo që ishte përpjekur t’i afrohej, por ai nuk kishte pranuar. Për t’u hakmarrë për refuzimin vajza e kishte denoncuar për dhunë seksuale.

Pas ekspertizës mjeko-ligjore, u konstatua se 27 vjeçarja nuk kishte shenja që të vërtetonin përdhunimin e pretenduar prej saj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/