Nga Blendi KAJSIU

Tiranë 10 mars 2014 – Obsesioni ynë i vazhdueshëm me korrupsionin në Gjyqësor shpesh na bën të harrojmë që Drejtësia shqiptare nuk të shikon vetëm nga xhepat. Ajo të shikon në dritë të syrit dhe të dënon edhe sipas statusit social. Sa më e varfër, sa më femër, sa më pak e shkolluar të jesh, sa më pak lidhje politike të kesh, aq më rëndë dënohesh. 

Shfaqjen më flagrante të këtij fenomeni e pamë së fundi te trajtimi me standarde të dyfishta të dy individëve, që përfaqësojnë edhe dy grupime të ndryshme sociale. Ylli Pinari dhe Nazime Visha ishin dënuar të dy me dhjetë vite burg. I pari për përfshirjen në tragjedinë e Gërdecit, ku, për arsye fitimi, u vranë 26 veta dhe u plagosën me qindra të tjerë. E dyta, dënuar për vrasjen e një burri të martuar, me të cilin kish pasur lidhje intime që në moshën 14-vjeçare.

Përballë Ylli Pinarit, Drejtësia shqiptare, Gjykata e Tiranës më konkretisht, tregoi mëshirë duke e nxjerrë nga burgu tri vite përpara mbarimit të dënimit. Përballë Nazime Vishës drejtësia shqiptare, si Gjykata e Apelit edhe Presidenti i Republikës, refuzoi të shfaqë mëshirë. Përkundrazi, në reagimin maskilist të këshilltarit të Presidentit ndaj gazetares Eni Vasili, Nazime Visha cilësohet si një vrasëse përballë së cilës duhet të zbatohet ligji dhe vetëm ligji! (shiko Shaqir Hasanaj, “Panorama”, 7 mars).

Fakti që institucionet tona e marrin ligjin kaq seriozisht, të ngroh zemrën. Ama fakti që ligji zbatohet me tërë egërsinë e tij pikërisht te shtresat më të dobëta dhe të pambrojtura të shoqërisë, të fut dridhma deri në palcë. Përballë burrave që kanë abuzuar me detyrën në nivele të larta të administratës, duke shkaktuar vrasjen e dhjetëra qytetarëve të pafajshëm për qëllim fitimi, sistemi ynë i Drejtësisë vë dorën në zemër. Me sa duket, kjo specie nuk përbën rrezik për shoqërinë shqiptare. Ama, kur vjen puna te Nazime Visha, sistemi ynë i Drejtësisë nuk të fal.

Natyrisht shumë shpjegime ligjore dhe teknike mund të jepen për të shpjeguar diferencën mes këtyre dy rasteve. Por arsyeja se përse dy individë trajtohen me dy standarde të ndryshme nuk qëndron te ligji, por te statusi i tyre social.  Sistemi ynë i Drejtësisë të shikon dhe më pas të dënon; më shumë për atë që je dhe më pak për atë që ke bërë.

Nëse Nazime Visha do të kish qenë vajza e Kryeministrit, ajo mund të ishte përfshirë direkt në skandalin e Gërdecit dhe të dilte pa u lagur. Nëse Nazime Visha do të ishte ministre e Mbrojtjes, ajo mund të prodhonte Gërdecin dhe të vazhdonte karrierën politike. Nëse Nazime Visha do të ishte drejtore e MEICO-s, dënimi i saj do ulej.  

Problemi është se Nazime Visha nuk është burrë, nuk ka para, nuk ka shkollim, nuk ka as lidhje dhe as parti politike. E vetmja lidhje e saj filloi në moshën 14 vjeç me një burrë të martuar dhe të madh në moshë. As familja, as shoqëria dhe as shteti nuk e mbrojtën atë nga një marrëzi e tillë. Ndonëse ky i fundit është i gatshëm ta dënojë.

Nazime Visha është qytetari më i thjeshtë shqiptar. Dhe përballë qytetarit të thjeshtë sistemi ynë i Drejtësisë nuk ka mëshirë. Madje, sa më shumë e “vë dorën në zemër” dhe u lëpihet burrave që janë lart aq më egër dënon ata që janë poshtë.