NGA KESIANA LEKBELLO
Rrugët, sheshet, mjedisi përbëjnë sferën kolektive për të jetuar në qytetet tona, qofshin ato të vogla apo të mëdha. Tek dëgjoj PD-në të revoltohet për ndryshimet te sheshi Nënë Tereza dhe betonizimin te hyrja e Liqenit, kujtoj menjëherë rotondën “Skënderbej” që PD-ja e rrumbullakosi për “bukuri” dhe zhduku sheshin historik kombëtar të Shqipërisë. Po ja që reflektimi im nuk mbaron këtu, përkundrazi, mendoj që në Shqipëri është urgjente sot, sikurse ishte edhe dje, shpërfytyrimi që ka ndodhur me shumë identitete arkitektonike, urbanistike dhe ambientale, që sistematikisht janë lidhur dhe lidhen me faktorin politik. Ky i fundit në çdo fushatë elektorale premton mirëqenien e qytetarëve dhe kujdesin drejt mjedisit. Në të vërtetë prej 25 vitesh ne jemi të gjithë dëshmitarë që po ndodh e kundërta e asaj që është premtuar dhe premtohet. Ajo që vërtetë është tronditëse përgjatë këtyre viteve është humbja e çdo sensi të mirë që lidh qytetarët me ambientin e tyre rrethues. Qyteti / mjedisi ndryshon pa reshtur te ne transformohet dhe bashkë me të ndryshojnë dhe transformohen edhe qytetarët që përjetojnë ndryshimet sipas interesave ekonomikë dhe politikë të vendit. Në këtë binom interesash një qëndrim asnjanës duhet të ketë studiuesi edhe shtypi, që interesohet mbi zhvillimet kulturore, ekonomike dhe politike të shoqërisë dhe vendit. Pa mbajtur anën e asnjë force politike në Shqipëri këto figura kompetente duhet të analizojnë transformimet reale dhe të informojnë shoqërinë për çka ndodh përreth tyre.
Ushtrimi i abuzimeve mbi mjedisin nuk është një opinion, është një realitet, sepse jemi të gjithë dëshmitarë dhe komentues të vëmendshëm kur flasim me njëri-tjetrin për: kodrat e betonuara kudo (në Durrës te Vila e përreth apo në Tiranë – Kodra e Diellit e akoma përtej saj vazhdojnë të gërryhen dhe të betonohen hapësirat e gjelbra që janë dhe mushkëritë e çdo qyteti). Po ashtu edhe për plazhet, si ai në Durrës, i cili me gjithë premtimet e bëra nuk është shembur asnjë ndërtesë prej çimento, këto të fundit vazhdojnë të lulëzojnë si mostra mbi rërën e plazhit. Dikur kjo ishte pasuria jonë publike, sot është prona e privatëve – kur u bë private rëra e bardhë e detit, kush i legalizoi ndërtesat shumëkatëshe mbi rërën e plazhit në Durrës?
Po kështu edhe parqet, që u premtuan të gjelbra e me lodra, vazhdojnë të jenë të thata nga bari e në vend të lodrave fëmijët luajnë akoma me zhavorrin, me shishet plastike apo me shkopinj që gjenden kudo dhe meqë mungon hapësira publike prindërit janë të detyruar të paguajnë lekë, vetëm lekë, si për argëtimin e fëmijëve nëpër lodra private, e prapë lekë e vetëm lekë për t’i çuar edhe për vetëm 2 orë në plazhet private. Po plazhi publik përse nuk ekziston? Në Evropë, për çdo 10 apo 15 copa plazhi privat është një plazh publik, që pastrohet dhe administrohet nga bashkitë posaçërisht për qytetarët.
Në këtë kontekst të turbulluar një kapitull më vete zënë akoma edhe sheshet e qyteteve, të cilat gjatë qeverisjes së Rilindjes kanë hyrë në një proces të ri rinovimi. Rasti i parë i transformimit të shesheve, siç e përmenda dhe më lart, filloi me sheshin “Skënderbej” në Tiranë më 2012, ku opozita, atëherë PS-ja, u ankua, revoltua dhe ngriti zërin kundër prishjes së sheshit “Skënderbej”. Le ta kujtojmë këtë aspekt thelbësor për të qenë të saktë dhe objektivë, sepse sot është opozita PD-së që revoltohet për çka premton të bëjë qeveria e Ramës lidhur edhe me ndryshimet e sheshit “Nënë Tereza” dhe me hyrjen te Liqeni. Kujtojmë gjithashtu që u shpenzuan një herë lekët, gati një vit më parë, për sistemimin dhe rregullimin e sheshit “Nënë Tereza”. Nuk kuptoj, ky shesh ka akoma nevojë për ndërhyrje dhe rregullime?
Sot rolet kanë ndryshuar, por problemi ynë si qytetarë nuk është revoltimi i një pale politike apo tjetrës, problemi është që sipas orekseve kush vjen në pushtet vendos “rinovimet” e veta publike dhe kjo nuk mund të pranohet! Nga këtu që lind dhe reflektimi personal: si kuptohen nga populli, dhe mbi të gjitha përse dhe kujt i shërben rinovimi i këtyre shesheve, hapësirave të gjelbra etj, që kaq shumë për zemër kanë forcat politike në Shqipëri?
Po analizoj konkretisht një aspekt themelor lidhur me sheshin e qytetit të Durrësit. Para se të ndërhyhej te sheshi kryesor i qytetit të Durrësit, qytetarët durrsakë të majtë dhe të djathtë, u organizuan, manifestuan, protestuan, ngritën peticione nëpër rrjetet sociale etj, për të ndaluar prishjen e sheshit historik të qytetit dhe largimin e shatërvanit të vjetër. Kjo protestë vazhdoi disa muaj, por ajo që të revolton është fakti që askush nuk i përfilli, askush nuk i dëgjoi, askush nuk u indinjua nga protesta e tyre. I thonë kësaj pune: qentë le të lehin, shatërvani shkon përpara!
Ja pra le ta kujtojmë; aty ku bredhat hijerëndë lulëzonin dhe lëshonin një hije të këndshme, aty ku shatërvani monumental i ndërtuar mbi një pus romak ishin pasqyrë e historisë tonë, aty pikërisht këto monumente shkatërrohen dhe zëvendësohen nga “rinovimi modern”, njëlloj siç veproi Berisha-Basha me sheshin “Skënderbej”. Ja pra që kjo llahtari ndodhi me sheshin e Durrësit, ku sot shikojmë me trishtim një skulpturë gjarpërore që identifikohet me gjarprin Kobra, dhe trupi i këtij gjarpri metalik vazhdon deri në fund nga teatri e bashkia përshkruan krejtësisht sheshin**… është kthyer në këtë stinë vere në përçues nxehtësie të paparë. Nuk mund të kalosh mbi këtë lastër prej metali se të përcëllon dhe jam e bindur që edhe nesër në dimër me shirat, pllakat e shtruara dhe metali i gjarprit do të jenë terren për rrëshqitjen e kalimtarëve! Atëherë përse u realizua? Po ashtu edhe shatërvani i sheshtë, që ka zëvendësuar shatërvanin dhjetëra-vjeçar, nuk ka asnjë kontekst simbolik, përkundrazi, aty shikojmë në resht për një, si ushtarët e Badoles (shprehje e vjetër), 38 palma (saudite, tropikale pak rëndësi ka për mua dhe për ju si lexues) të cilat janë pjesë e “rinovimit”, dhe të më falni, por jemi duke folur për një qytet mijëra vjeçar dhe jo për një shesh me oazat në shkretëtirë! Dhe po të pyesim veten se cili poet shqiptar ka shkruar vallë dy reshta për palmat sigurisht s’na vjen në mendje asnjë poet kombëtar të frymëzohet nga palmat. Është normale, nuk është pjesë e ambientit tonë kjo pemë, që edhe mund të kultivohet, nuk jam kundër, por pranë brigjeve të detit, dhe jo të jetë kjo pemë protagoniste e sheshit kryesor të një qyteti të vjetër.
Ajo që mbetet për t’u theksuar edhe një herë, është fakti që as palmat, as kobra skulpturë dhe as shatërvani i sheshtë do të mund të kualifikojë sheshin e Durrësit si shesh historik: ky shesh nuk ekziston më. Tallje më të madhe për historitë e qyteteve besoj dhe mendoj që nuk ka! E po të mendojmë bredhat dhe shatërvani mbas pak do të mbushnin 100 vjetorin e jetëgjatësisë, kuptohet qartë që dora shkatërruese shkoi dhe goditi në emër të “rinovimit” pa marrë parasysh aspak kundërshtimin e qytetarëve vendas dhe peticionet e bëra on-line. Nuk kuptoj sinqerisht kur dëgjoj të flitet për turizëm në Shqipëri! Për cilin turizëm bëhet fjalë? Për Thethin.. Butrintin..? Çfarë kuptohet me turizëm? Kujt i drejtohet turizmi dhe si lidhet turizmi me popullsinë vendase në radhë të parë, para se t’i drejtohet klientit-turistit të huaj? Si identifikohet ky nocion me realitetin identitar kombëtar?
E pastaj dëgjoj të thonë në televizor opinionistë të ndryshëm dhe qytetarë : “Nuk dimë ku t’i çojmë turistët në Tiranë”? Vërtet? Po e njëjta gjë ndodh edhe me Durrësin, mos u bëni merak: një amfiteatër nuk të shpëton faqen e skuqur nga turpi. Sheshi monumental në Durrës, që barbaria administrative dhe qeveritare shkatërroi, është pjesë e ndërgjegjes së turizmit të politizuar; slogane politike si për turizmin fetar, apo për turizmin e realizmit socialist, apo për atë fashist … le të propagandojnë si të duan, i keni prishur ju këto realitete, o politikanë! Në veshët e një studiuesi këto slogane janë fjali boshe dhe për popullsinë mendoj gjithashtu: ai që ka vesh di të dëgjojë, dhe ai që ka kokë di të kuptojë, dhe nuk blihet nga llafollogjitë dhe reklamat, por di t’u japë çmimin konkret këtyre ndërhyrjeve për “rinovim”. Në fund të fundit, nuk është nevoja të kesh universitet për të kuptuar transformimet shkatërruese, faktet flasin qartë! Po ashtu edhe për rrugët, jemi po prapë të vëmendshëm dhe flasim me njeri tjetrin për hapësirat publike që dhunohen çdo ditë nga abuzimet e bareve apo të shitjeve ambulante kudo e përherë.
Kjo është gjendja aktuale, ndërkohë që jemi në pritje për “rinovimin” e sheshit Nënë Tereza dhe hyrjen për në Parkun e Liqenit: lajmet që lexojmë nuk janë inkurajuese dhe shtatori vjen shumë shpejt!
* Ka mbaruar studimet në Universitetin në Bolonja (Itali) me rezultatet maksimale dhe të shkëlqyera; doktoruar me temën “Arkitektura e shkatërruar në Luftën e Dytë Botërore. Rindërtimi arkitektonik dhe artistik i monumenteve mesjetare në Bolonja”. Specializuar në historinë / ikonografinë e artit kristian. Historiane e artit në muze të ndryshme në Emilia-Romagna; bashkëpunon si studiuese me Qendrën Studimore “Arkitektura, qytetërimi dhe tradita klasike” në Venecia dhe me Departamentin e Arteve Figurative në Bologna. Ka bashkëpunuar me Universitetin e Riminit dhe me Universitetin UFO, sot (Albania) në Tiranë, ku për dy vjet ka zhvilluar leksionet dhe seminaret e lëndës së historisë së arkitekturës, ku botoi dhe librin “Historia e arkitekturës I”.
Sqarim i “Dyrrah”-ut:
** Monumenti modernist, jo medievist-klasik, titullohet “Drita”. Nuk kemi të bëjmë me bisht gjarpri kobra, por me curril uji (drite) që rrjedh nga blloku prej çeliku (kroi, burimi i dritës) para shkallëve të pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” (një rreze drite që simbolizon këtë qytet të dritës, të detit dhe të dashurisë). Autor është skulptori durrsak me famë botërore Helidon Sali Xhixha, të cilin e vlerëson lart edhe “New York Times”, që citon artistin shqiptar: “Unë nuk gdhend materiale. Unë përdor materiale për të gdhendur dritën”. Xhixha i ka dhuruar tri vepra Presidencës shqiptare, ashtu sikurse dhe bashkisë amtare të Durrësit veprën, për të cilën flitet në këtë opinion. Sipas skulptorit, “kjo vepër ka qenë një kontribut modest imi për qytetin e Durrësit”.
Marrë nga “Dita”, 11 korrik 2015.