Vetëm pak ditë pasi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano u shkakua nga detyra, profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço ka paralajmëruar zbulimin e një fletoreje në të cilën janë shënuar të gjithë emrat e efektivëve dhe drejtuesve të lartë të policisë të cilët paguhen nga krimi.

Për Abc News, Karamuço tha se krimi i organizuar mban si eskortë elitën e policisë shqiptare.

“Një nga gjërat që shëmton dhe është një njollë e zezë. Është fakti që eksponentë të krimit mbajnë për eskortë elitën e policisë. Jo vetëm makina të blinduara por elitën, RENEA, Operacionalja, i ruan ata. Këta efektivë të zgjedhin se si do bëjnë. Nga kontrolle që do të bëhen këto ditë, në një prej shtëpive do gjendet një fletore, ku do dalin disa emra që paguhen. Janë efektivë që marrin rrogë çdo muaj. Ka shumë aludime se edhe kur dështojnë operacionet, ka dekonspirime. Këto janë armiku i padukshëm. E rëndësishme të listohen me Vetting, dhe shpenzimet që kryejnë. Ku i gjejnë këto lekë? Këta që rrinë paradite me qytetarët dhe pasdite krimin, duhet të ndalen. Të shkunden nga korrupsioni” tha Karamuço.

Më tej, Karamuço tha se si pasojë e publikimit të dëshmisë së Nuredin Dumanit rezultojnë 6 vrasje dhe dy humbje personash.

“Rezultojnë 6 vrasje dhe dy humbje personash dhe dyshohet se vijnë si pasojë e publikimit të dëshmisë së Nuredin Dumanit. Kjo ka shkaktuar shumë gjak dhe ngjarje shumë të rënda. Diheshin shumë realitet. Por të tjera u bënë publike.” tha Karamuço.

Vetëm pak ditë më parë efektivi i policisë dhe njësisë Operacionale për arrestimin e personave në kërkim, Jeton Lami u la në burg nga Gjykata e Kurbinit me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dekonspirimit të operacioneve policore.

Jeton Lami transportoi në Durrës e Tiranë të shumkërkuarin e policisë Ervis Martinajn, më datë 5 dhe 7 gusht, pamje të cilat janë dokumentuar nga filmime të kamerave të sigurisë.