Drejtoresha e shkolles “Fan Noli” nuk i ka lejuar vendosjen e një stoli në kujtim të Martin Canit, 14-vjeçarit i cili u vra nga një bashkëmoshatar i tij pranë shkollës. Mësohet se drejtoresha ka bllokuar hyrjen me argumentin se nuk ka leje për vendosjen e tij, përkundër deklaratave të prindërve dhe aktivistëve të cilët thonë se është miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Aktivistja Sideorela Vatnikaj deklaroi se drejtoresha ka thirrur policinë për t’i larguar me forcë. Sipas saj, të pranishëm kanë qenë edhe vetë prindërit e 14-vjeçarit Martin Canit.

 “Jemi shumë të zhgënjyer dhe të lënduar se kjo burokraci po zvarrit një çështje që duhet të kishte qenë që në fillim shkollës. Na është thënë nga roja se drejtoresha nuk ka dalë asnjë moment, por ka thirrur policinë për të na larguar me forcë sikur të ishim banditë. Nuk na është dhënë asnjë arsye pse nuk duhet të vendoset stoli në shkollë. Sot kishim me vete edhe prindërit e Martin Canit, që jo vetëm nuk kanë marrë drejtësi, por përballen edhe me këtë zvarritje të pakuptimtë burokratike.

Këshilli Bashkiak e ka miratuar vendosjen brenda hapësirës së shkollës stolit gjithashtu edhe zyra arsimore, ndërkohë që drejtoresha thotë që nuk mund të vendoset stoli. Drejtoresha e Fan Nolit duhet të kishte qenë e para e interesuar se është përgjegjëse për  sigurinë e fëmijëve në shkolla. Jemi të indinjuar që drejtoresha nuk ka marrë asnjë masë konkrete pas ngjarjes tragjike të vrasjes së Martin Canit, por edhe zvarrit e pengon vendosjen e një stoli që do të ishte në të mirë të shkollës e ndërgjegjësimit të nxënësve të tjerë”.,tha aktivistja.