Drejtoreshës së shkollës jo publike “Mihal Ekonomi” në Durrës i është akorduar titulli “Mirënjohja e qytetit”, për kontributin e saj të gjatë në fushën e arsimit dhe dijes.

Certifikata i është dorëzuar nga Drejtori i Arsim Kulturës në bashki, Ardian Gurra, ndërkohë që në motivacion shkruhet: “Për kontributin e shquar në fushën e arsimit dhe mësuesisë, duke nxjerrë breza të tërë nxënësish dhe duke përçuar dije dhe kulturë në qytetin e Durresit”.

Elsa Ekonomi është një nga emrat e njohur në fushën e arsimit në Durrës. Për shumë vite me radhë, ajo ka përgatitur me përkushtim breza të tërë nxënësish në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti”, ku jepte lëndën e letërsisë. Më pas, për shumë vite me radhë ajo drejton me të njëjtin përkushtim shkollën jo publike “Mihal Ekonomi”, një ndër institucionet arsimore më të mira në qytetin bregdetar.

“Mihal Ekonomi” është shkolla e parë jopublike në Durrës, e hapur në korrik të vitit 2002, dhe mban emrin e një prej profesorëve të nderuar të letërsisë e gjuhës shqipe në qytetin e Durrësit, i cili u nda nga jeta në fillim të vitit 1990.