Reagon drejtoresha e Spitalit Rajonal Durrës, Ardiola Frashëri në lidhje në kallëzimin e depozituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas Frashërit deri më tani në institucionin që ajo drejton nuk ka ardhur asnjë njoftim zyrtar nga KLSh. Frashëri ka hedhur të gjitha pretendimet e KLSh-së, ndërsa theksoi se janë të pabaza dhe të pavërteta.

Klontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi sot penalisht drejtoreshën e spitalit të Durrësit si dhe të paraardhësit të saj, të cilët akuzohen për shkelje të pabarazisë në tendera. Sipas një auditi të kryer nga KLSH, dëmi ekonomik i shkaktuar arrin në 3.390.759 lekë. Në njoftimin e KLSH bëhet e ditur se dy zyrtarët akuzohen se kanë dy kontrata shtesë mbi kontratat bazë.

Reagimi i Spitalit të Durrësit

Jemi njohur sot përmes medias për një kallëzim që Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka bërë për drejtoren e spitalit të Durrësit znj. Ardiola Frashëri. Në rradhë të parë duam të theksojmë se në drejtorinë e spitalit nuk ka ardhur asnjë njoftim zyrtar, edhe pse një njoftim i tillë duket se është përcjellë për median, madje me detaje. Së dyti hedhim poshtë cdo pretendim të KLSH dhe e cilësojmë atë të pabazë dhe të pavërtetë. Çdo procedurë në tendera është kryer në përputhje me ligjin në fuqi dhe sipas nevojave të spitalit. Edhe vet akuza e artikuluar nga KLSH, të paktën nga ajo cka u transmetua në media, duket e paqartë dhe shpresojmë të mos jetë rastësi që një akuzë e tillë ka më shumë qëllim të bëhet publike sesa të vërtetohet.  

Spitali Rajonal Durrës për herë të parë pas shumë kohësh nuk ka vuajtur më mungesën e medikamenteve apo aparaturave të prishura qëllimisht, dhe kjo falë punës së suksesshme të stafit drejtues dhe drejtores znj. Ardiola Frashëri. Çdo medikament që ka hyrë në spital është menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pacientët janë trajtuar me një shërbim cilësor.  

Lufta ndaj korrupsionit është një nga objektivat tona dhe prej më shumë se një viti tashmë kemi ngritur një sistem të tillë në spital për të marrë ankesat e pacientëve dhe denoncimet e tyre.  

Ndihemi të keqardhur që akuza të tilla të pabazuara, të pavërteta, me sfond të dyshimtë i ofrohen publikut, duke cënuar imazhin e drejtuesve të institucioneve, në këtë rast spitalit të Durrësit.

Pavarësisht të gjithave jemi të hapur për cdo hetim, audit e çdo formë tjetër kontrolli për veprimtarinë e spitalit gjatë kohës që drejtohet nga Znj. Ardiola Frashëri.