"Mos merrni receta nga mjekët". Kjo është thirrja që drejtoresha e spitalit të Durrësit, Nadire Kërtusha ju ka bërë pacientëve që i drejtohen këtij spitali. Pacientët u përballën me një mungesë gati tre mujore të barnave për shkak të procedurave burokratike në Ministrinë e Shëndetësisë.
E sapo emëruar në krye të Spitalit Rajonal të Durrësit, mjekja Kërtusha, parësore për fillimin normal të punës ka furnizimin e urgjencës së spitalit dhe asaj të pediatrisë me barnat dhe preparatet më të nevojshme.
Në një intervistë për DurrësLajm, Kërtusha deklaroi se furnizimi i rregullt me barna të të gjithë reparteve dhe shërbimeve spitalore është prioritet i punës së saj.
Për shkak të vonesave në tenderimet e barnave, në spitalin e Durrësit rrezikonte të mbyllej blloku i operacioneve.
“Në urgjencën e të rriturve është bërë furnizimi me medikamente dhe askush prej pacientëve nuk duhet të marrë recetë për të blerë ilaçe jashtë spitalit”,- deklaroi Kërtusha.
Deri në 15 Maj, repartet e spitalit të Durrësit do të publikojnë në stenda të veçanta të gjithë preparatet dhe listën e barnave që kanë në dispozicion për pacientët, që asnjë mjek të mos abuzojë me dhënien e recetave për pacientët që janë të shtruar në spital.
Deri në fund të kësaj jave pritet të lidhen kontratat me të gjitha kompanitë farmaceutike fituese të tenderave të barnave për spitalin e Durrësit.
Ndërkohë Kërtusha foli edhe për dhunën që po ushtrohet në urgjencën e spitalit të Durrësit. Janë raste të shtuara ku pacientët në mungesë të barnave dhe të shtretërve kanë dhunuar mjekët dhe infermierët, të cilët të paktë në personel presin mbi 400 pacientë në ditë nga Rrogozhina, Kavaja dhe Durrësi. Sipas Kërtushës, do të rishikohet mundësia e zgjerimit të urgjencës së spitalit të Durrësit.
K.H.





