Gjatë muajve të pandemisë Covid-19, porti i Durrësit nuk e ka ndalur punën për asnjë moment, por efektet e krizës janë ndjerë, në sektorë të veçantë, veçanërisht në ato që kanë lidhje me transportin e mallrave dhe udhëtarëve.
Drejtori i APD Durrës, Pirro Vengu e pranon se bllokimi i qarkullimit të pasagjerëve që nuk kanë leje qëndrimi në vendet e BE-së, dhe sidomos vendin fqinjë, Itali, me të cilin kemi shkëmbimet më të rregullta, ka ndikuar në të ardhurat portuale, por edhe në ekonominë e qytetit. Shqetësuese Vengu sheh edhe uljen e të ardhurave të kompanive eksportuese dhe importuese.
“Ne po fokusohemi më shumë tek nevojat e importuesve dhe eksportuesve nga pikpamja e politikave tona tarifore. Ke një rënie të çmimeve të transportit me mjete detare në mbarë botën dhe veçanërisht në Mesdhe, ç’ka nënkupton se ka një vështirësi më të madhe të transportuesve detarë, pasi kostot janë po ato që kanë qenë para pandemisë. Të ardhurat e tyre po bëhen më të ulta nga ç’priteshin, prandaj ne duhet t’i mbështesim, sidomos në këtë fazë të dytë të vështirë, që pritet të jetë 6-mujori i dytë i këtij viti”,– thotë Vengu.
Sipas drejtorit, politikat mbështetëse financiare do të fokusohen sidomos për kompanitë të cilat realizojnë më shumë bregëzime në portin më të madh në vend, kanë standarte mjedisore më të larta apo realizojnë volum më të madh mallrash. Për këto kompani, drejtori Vengu premton që në fund të vitit financiar do të ketë ulje tarifash.
Njëkohësisht, drejtori i APD thekson faktin se porti i Durrësit ka tarifa konkuruese krahasuar me të gjitha portet e tjera të rajonit duke hedhur poshtë perceptimin që tarifat portuale tek ne janë të larta.
“Ne nuk jemi një port i shtrenjtë, ne jemi një port shumë i lirë krahasuar me vendet e tjera të rajonit”,- deklaron Vengu.
Ndërkohë, po sipas Vengut, transporti i mallrave ka regjistruar volume pak a shumë të ngjashme me vitin e kaluar, kjo dhe për faktin se pandemia Covid-19 i ka shtyrë importuesit që të grumbullojnë stoqe për mallra të caktuara, për t’i bërë ballë një vale të dytë të koronavirusit.
Produktet e konsumit të përditshëm, drithërat dhe materialet e ndërtimit zënë volumin më të madh të importeve dhe eksporteve në portin e Durrësit.
M.B.





