3 pallate shumëkatëshe në qytetin e Durrësit, tek të cilat ndërtuesi kishte dalë jashtë lejes së ndërtimit duke bërë thuajse të pamundur daljen e certifikatës së pronësisë për banorët, tashmë kanë hyrë në proces legalizimi. Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Liridon Pula deklaron për "DurrësLajm" se krahas 300 qytetarëve që pritet të marrin së shpejti në dorë certifikatën e pronësisë, në proces janë edhe 4 pallate të tjera në lagjen nr.13.
Ndërkohë, një procedurë e re e aplikuar vetëm muajt e fundit në ASHK Durrës ka përshpejtuar mjaft kohën e nxjerrjes së certifikatës së pronësisë për qytetarët. Tashmë e gjitha procedura kryhet online, duke lënë gjurmë në sistem dhe duke eleminuar gjithë gabimet apo vonesat e konstatuara muajt dhe vitet e kaluar.
Prej një muaji, specialistët e ASHK Durrës dalin në punë edhe gjatë ditëve të pushimit, të shtunë e të dielë. Drejtori Pula deklaron se prioritet po u jepet dosjeve të vjetra, të viteve 2005-2006 për ta përmbyllur këtë si proces dhe paralelisht duke operuar edhe me dosjet e legalizimeve të viteve më vonë.
Në muajin prill të këtij viti, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe ALUIZNI u bashkuan në një institucion të vetëm, Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Sipas drejtorit Pula, ata që janë përfituesit e drejtpërdrejtë nga ky bashkim janë qytetarët, të cilëve u janë eleminuar vonesat dhe burokracitë në zyrat e shtetit.
Krijimi i ASHK-së në Durrës ka përmirësuar ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve. Tashmë në sportele ofrohen 3 shërbime të ndryshme, ndërkohë që procedura “Fast track”, ofron zgjidhjen e problemit të qytetarëve brenda 24 orëve, kundrejt një tarife të dyfishuar.
M.B.





