Presidenti amerikan Joe Biden ka dërguar një nga zyrtarët e tij më të besuar dhe me ndikim në Lindjen e Mesme me shpresën për ta kthyer një armëpushim të brishtë midis Izraelit dhe Hamasit në një marrëveshje më të qëndrueshme.
Një zyrtar amerikan konfirmoi për Zërin e Amerikës se drejtori i CIA-s, William Burns, udhëtoi drejt Katarit të martën për bisedime të nivelit të lartë, “duke përfshirë diskutimet për pengjet”.
CIA, e cila rrallëherë flet për udhëtimin jashtë vendit të drejtorit të saj, nuk pranoi të bënte komente për udhëtimin, i cili fillimisht u njoftua nga gazeta The Washington Post.
Media izraelite, si dhe media të tjera, cituan burime diplomatike të thoshin se në Doha, zoti Burns është takuar me kreun e agjencisë izraelite të zbulimit, Mossad, si dhe me zyrtarë të Katarit dhe Egjiptit.
Zyrtarët e lartë amerikanë e kanë mbështetur Izraelin me fjalë dhe me armë pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, në të cilin u vranë rreth 1200 njerëz në Izrael, shumica civilë.
Por Shtëpia e Bardhë ka kërkuar gjithashtu lirimin e rreth 240 personave të marrë peng nga Hamasi gjatë sulmit, duke përshëndetur armëpushimin tashmë pesë-ditor, gjatë të cilit janë liruar 70 pengje në këmbim të lirimit të 150 palestinezëve nga burgjet izraelite.
“Objektivi i administratës për momentin është zgjatja e armëpushimit sa më shumë që të jetë e mundur dhe lirimi i sa më shumë pengjeve”, thotë Paul Pillar, një ish-oficer i lartë i CIA-s që tani jep mësim në Universitetin Georgetown.