Prej dy javësh ZRPP, po punon me personel të reduktuar, pas shkarkimit të 6 punonjësve dhe dorëheqjes së drejtorit Jurgis Çyrbja. I gjithë fluksi i punës po përballohet nga të njëjtit punonjës.
Më 27 janar u shkarkuan nga puna 4 juristë dhe 3 hartografë, me motivacionin se nuk u kishin kthyer përgjigje brenda fateve kohore qytetarëve, por njëri prej punonjësve të shkarkuar, u rikthye në punë një ditë më vonë. Po në të njëjtën ditë dha dorëheqjen edhe drejtori Jurgis Çyrbja, i cili pret mandatimin si deputet i PS-së në vend të Blendi Klosit. Drejtori i komanduar dy javët e fundit është nëndrejtori i këtij institucioni Adrian Kona.
Për problemet e shumta të qytetarëve, “DurrësLajm” iu drejtua zotit Kona, se çfarë e si trajtohen ankesat e tyre, dhe pse nuk respektohen afatet ligjore për ankesat e shumta të qytetarëve. Kona tha jashtë kamerës se aq shumë kërkesa qytetarësh janë pritur brenda dy javësh, sa nuk është bërë për një vit të tërë. Nuk kanë sjellë punonjës të rinj dhe janë po të njëjtët punonjës, që po përballojnë të gjithë fluksin”.
“Për shkak të ankesave e mosrespektimit të afateve kohore, u bë edhe shkarkimi i punonjësve dy javë më parë. Prej dy javësh, nga data 27 janar ZRPP-ja ka kryer 1117 shërbime ndaj qytetarit, ndërsa korenspodenca me institucionet e tjera dhe qytetarët janë kryer gjithsej 287 shkresa”, thuhet në njoftimin që shpërndau ZRPP-ja pas kërkesës së “DurrësLajm”.
K.H.





